Shtetësia, Mickovski: Zaev nuk na ka konsultuar për pr/ligjin
Grupet parlamentare nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët....

Grupet parlamentare nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët lidhur me zhbllokimin e propozim-ligjit për shtetësi. Gjatë koordinimit të fundit në Kuvend “E Majta” e bëri të qartë se nuk ka hequr dorë nga bllokada.
Ndërkohë, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, akuzoi LSDM-në se ka propozuar ndryshimin e ligjit, pa konsultime me opozitën.
“Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është principiel. Në konferencë për media Zoran Zaev deklaroi se do ta informojë opozitën do ta njoftojë dhe se do të kërkojë leje nga opozita. Deri në këtë moment teksa i përgjigjem pyetjes tuaj, takim të tillë nuk ka pasur dhe as që na ka ftuar. Nëse LSDM dhe Zoran Zaev mendojnë se ky shtet varet nga ata, po e gënjehen. Prej kohësh nuk varet gjë nga ata.”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Përmes fjalimeve maratonike “E Majta” ka bllokuar shqyrtimin e amendamenteve ndaj propozim ligjit në Komisionin Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri.
Ndryshe, në prononcimin e fundit kryeministri Zoran Zaev u shpreh i bindur se ligji do të kalojë teksa akuzoi partitë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE dhe “E Majta” se po bëjnë garë mes vete cila më tepër bllokon punën e Kuvendit. (Naim Ramadani, TVM2)
