Apeli refuzoi ankesën, Sasho Mijallkov mbetet në Shutkë
Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e ish drejtorit të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov....

Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e ish drejtorit të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, duke konfirmuar kështu vendimin e Gjykatës Penale e cila paraprakisht nuk pranoi garancinë prej 10.8 milionë eurove e duke konfirmuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Edhe pse paraprakisht prokurori publik Artan Ajro dha mendim pozitiv për lirimin me kushtin e garancisë së lartë financiare, Prokurori i Lartë Burim Rustemi, ishte i prerë se garancia nuk duhej pranuar.
Në këtë vendim duhet të kenë ndikuar dënimet aktuale me të cilat përballet ish shefi i DSK-së, ku përfshihen 12 vjet burg për rastin “Target dhe Fortresa” dhe 8 vjet për rastin “Thesari”.
Javën që vjen do të dihet edhe vendimi për rastin "Tortura". Por nuk mbaron me kaq. Mijallkov është i pandehur edhe në rastin "Titanik 2" dhe është i dyshuar në hetimet për rastet "Perandoria" dhe "zonat e ndërtimit në Vodno", për të cilat kohët e fundit u ngrit një aktakuzë dhe pritet vendimi i gjykatës nëse do t’i procedojë më tej.
Ende nuk është e qartë ndërkohë nëse dikush do të përgjigjet për zhdukjen 48-orëshe të tij, pikërisht në momentin kur policia shkoi për ta vënë në arrest shtëpiak. Procedura para hetimore për këtë moment shtesë në bëmat e ish shefit të DSK-së, ka përfunduar, e pritet fjala e fundit e prokurorit publik.
Zhdukja në stilin e Hudinit, ende mbetet enigmë. Mijallkov këmbëngul se ishte sëmurë por jo edhe që u përpoq të arratisej.
