“27 prilli”, PNKOK: Dëshmohet përfshirja e VMRO-DPMNE-së

07.06.2021 18:29

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion....

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion, në vazhdimin e gjykimit për “27 prillin” e përgjakur në kuvend, paraqiti në gjykim si dëshmi SMS mesazhet mes ish ministrave, Mile Janakieskit dhe Elizabeta Kançeska-Milevska, që sipas PKNOK tregojnë se VMRO-DPMNE mori pjesë aktive në organizimin e protestave “Për Maqedoni të përbashkët”.

Edhe pse gjatë gjithë gjykimit të pandehurit këmbëngulnin se partia nuk kishte asnjë rol në protestat e organizuara nga lëvizja qytetare, SMS-të e këmbyera mes dy zyrtarëve të lartë, hedhin një dritë tjetër mbi ngjarjen. 

Janakieski dhe Kamçevska duket se jo vetëm që janë marrë me përpilimin e listave, por janë dakorduar  edhe se kush do të jenë folësit në protestat e organizuara kundër asaj që u cilësua si  “Platforma e Tiranës”.

“Me këto dëshmi, vërtetohet roli në organizimin e protestave i VMRO-DPMNE-së, si dhe të personave të akuzuar, gjegjësisht Mile Janakieskit dhe Spiro Ristovskit”- tha prokurorja, Villma Ruskoska.

Avokatët mbrojtës këmbëngulin se mesazhet telefonike nuk janë dëshmi se ata janë organizatorët e  protestave por reagojnë vetëm se i mbështesin të njëjtat.