Botë

Sulmi kundër familjes myslimane në Kanada “ishte i planifikuar”

08.06.2021 12:26

Drejtuesi i një kamionçine në Kanada, i cili u përplas për pesë këmbësorë...

Drejtuesi i një kamionçine në Kanada, i cili u përplas për pesë këmbësorë, duke vrarë katër prej tyre, i goditi viktimat sepse ishin myslimanë, tha policia kanadeze.
 
“Ka prova që tregojnë se ky ishte një akt i planifikuar, i paramenduar dhe se familja u vu në shënjestër për shkak të besimit mysliman”, tha detektivi Paul Waight.
 
Sulmi ndodhi të dielën në qytetin e Londrës të provincës Ontario.
 
Një djalë i moshës nëntë vjeç – i mbijetuari i vetëm i familjes – ndodhet në spital me lëndime të rënda.
 
Viktimat ishin dy gra – të moshës 74 dhe 44 vjeçe – një burrë 46 vjeç dhe një vajzë 15 vjeçe.
 
Emrat e tyre nuk u bënë publikë, në përputhje me kërkesat e familjes.
 
Policia e identifikoi sulmuesin e dyshuar si Nathanial Veltman, 20 vjeç.
 
Nuk dihet ende nëse i dyshuari ka lidhje me ndonjë grup, tha detektivi Waight.
 
Policia po shqyrton akuzat e mundshme për terrorizëm, tha ai, duke shtuar se besohet se vrasjet janë një krim i urrejtjes.
 
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, shkroi në Twitter se është “tmerruar” nga lajmi.
 
Sulmi është më i rëndi kundër myslimanëve në Kanada qëkur gjashtë vetë u vranë në një xhami të qytetit Kuebek, në vitin 2017./REL