Maqedoni
Me intervenimin e policisë, u shpëtua personi që tentoi të vetëvritet
08.06.2021 14:57
Pas disa orësh përpjekje, përfundoi me sukses operacioni nga ana e policisë dhe Njësisë Territoriale....

Pas disa orësh përpjekje, përfundoi me sukses operacioni nga ana e policisë dhe Njësisë Territoriale kundër zjarrit për shpëtimin e një personi të gjinisë mashkullore i cili në orët e paradites tentoi të hidhej nga një ndërtesë banimi afër Q. T “Mavrovasja” në Shkup. Nga MPB njoftojnë se pas operacionit të suksesshëm, personi që tentoi të hidhej nga ndërtesa është shpëtuar.
“Rreth orës 12:00, me ndërhyrjen e një ekipi negociator nga Njësia Speciale Antiterroriste pranë Ministrisë së Brendshme, është shpëtuar personi i cili u përpoq të hidhej nga çatia e një ndërtese në rrugën “Filip i Dytë”(afër qendrës tregtare “Mavrovasja”). Personi në mënyrë të sigurt dhe pa lëndime është larguar nga ndërtesa dhe është dërguar në stacionin e policisë për procedime të mëtejshme.”,- thuhet nga MPB.
Pranë vendit të ngjarjes u bllokuan të gjitha lëvizjet e njerëzve, ndërsa Njësia Kundër Zjarrit në afërsi të ndërtesës kishte vendosur edhe dyshekun e shpëtimit.
“Një person deshi të vetëvritet. Nga Brigada e Zjarrfikësve së bashku me ekipet e MPB-së, policinë dhe njësitet speciale u kërkua vendosja e dyshekut të shpëtimit. Zgjati më shumë se katër orë, por gjithçka përfundoi me sukses. U angazhuan 11 zjarrfikës së bashku me komandantin, pasi bëhet fjalë për vend urban dhe gjithmonë përdoret dysheku i shpëtimit dhe mund të ketë nevojë edhe për intervenim shtesë nga ana jonë, intervenim me shkallë apo varësisht nga operacioni në koordinim me policinë.”,- tha një zjarrfikës.
Nga MPB nuk japin detaje për motivet që çuan personin në fjalë të tentojë të vetëvritet, por sipas zjarrfikësve informacionet e para flasin për gjendje jostabile psikologjike të personit në fjalë.
ZEKIRJA MEXHITI
