Cilësia e “dyshimtë” e mazutit? KRRE të mërkurën publikon vendimin

08.06.2021 16:36

Rregullatorët e KRRE-së janë duke analizuar....

Rregullatorët e KRRE-së janë duke analizuar dhe rishikuar të gjithë dokumentacionin, analizat dhe kërkesat në lidhje me importin dhe përdorimin e mazutit në vend, ndërsa për ditën e mërkurë paralajmërojnë që të shpalosin vendimin përfundimtar në lidhje me këtë shqetësim.

Nga KRRE për TVM2 thanë se të mërkurën është realizuar takimi përgatitor, ku kanë marrë pjesë edhe inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut të cilët kanë prezantuar analizat e tyre për cilësinë e mazutit të inportuar në vend. Seanca e jashtëzakonshme e rregullatorëve për të kumtuar vendimin është e caktuar për nesër.

“Rregullatorët në takimin përgatitor detajisht janë duke i analizuar të gjitha gjetjet, dokumentacionet nga kontrollet dhe monitorime të rregullta dhe të jashtëzakonshme, janë duke u shqyrtuar dhe analizuar po ashtu edhe raportet e sektorit për monitorime, hetime dhe shkelje”,- thonë nga KRRE.

Në rast se konstatohet se disa kompani kanë importuar mazut jocilësor dhe të dëmshëm ndaj shëndetit të qytetarëve, Komisioni Rregullator i Energjetikës ka dy opsione në dispozicion, të ngris kallëzim penal ose t’u konfiskohet licenca për punë. Edhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, bëri thirrje që në hetime të kyçen edhe institucione tjera për t’u zbardhur e vërteta, pasi ditë më parë doganierët në kufi zbuluan edhe pesë cisterna tjera me mazut me cilësi të dyshimtë, pasi në to ka pasur sasi më të madhe të ujit të lejuar.

Këtyre cisternave u janë marr mostrat dhe sipas paralajmërimeve ditëve në vijmë do të shpallen rezultatet e analizave. (Rexhep Qamili, TVM2)