Gjykata e Hagës: Mlladiq mbetet në burg të përjetshëm
Gjykata e Apelit në Hagë....

Gjykata e Apelit në Hagë ka shpallur vendimin përfundimtar kundër Ratko Mlladiqit, duke vendosur të lejë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, i dënuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Kryetarja e trupit gjykues, Prisca Matimba Nyambe, deklaroi konstatimin e Dhomës së Apelit se Mlladiq nuk ka mundur ta hedhë poshtë përfshirjen e tij në krime.
“Dhoma e Apelit konstaton se Mlladiq dështoi ta hedhë poshtë përfshirjen e tij në një ndërmarrje të përbashkët kriminale për të kryer gjenocid, vrasje dhe persekutim. Ai kontribuoi në një ndërmarrje gjithëpërfshirëse kriminale dhe ndau qëllimet e tij.”,- u shpreh kryetarja e trupit gjykues, Prisca Matimba Nyambe.
Mlladiq ndryshe njihet si “Kasapi i Bosnjës”, për çka u dënua në nëntor të vitit 2017 nën akuzat që përfshinin vrasjen e mbi 8 mijë djemve e burrave myslimanë në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, që është ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Masakra u krye në një zonë që ishte shpallur e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Ratko Mlladiq ishte përgjegjës për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës, ku u vranë 10 mijë civilë.
Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s, që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohajos në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995.
Ai është fajtor edhe për përndjekjen e myslimanëve dhe kroatëve gjithandej Bosnjës, dhe mbajtjen peng të pjesëtarëve të forcave të Kombeve të Bashkuara.
Vendimi i sotëm i Apelit shënon edhe përfundimin e ndjekjeve penale të Kombeve të Bashkuara për krimet e kryera në luftën e Bosnjë që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur. (Sedat Selimi, TVM2)
