VMRO-DPMNE, bllokada në 10 qytete të vendit

08.06.2021 18:10

Për dy orë të tëra, VMRO-DPMNE...

Për dy orë të tëra, VMRO-DPMNE bllokoi trafikun në qytetin e Shkupit me bllokimin e tre udhëkryqeve kryesore të qytetit.

Kjo në shenjë të protestës për mënyrën e negociatave të qeverisë me palën bullgare sa i përket identitetit maqedonas. Në protestën para Kuvendit të pranishëm ishin edhe udhëheqësia e partisë VMRO-DPMNE, përfshirë edhe kreun e tyre, Hristijan Mickovskin.

Përmes kësaj proteste ata synojnë të ngritin zërin dhe të thonë se nuk do të lejojnë rrezikimin e interesave kombëtare maqedonase, si identiteti, gjuha apo kultura. Kërkojnë nga qeveria që të publikojë dokumentin me të cilin po negocionin me qeverinë e përkohshme bullgare.

“Bllokojmë për një arsye ta ngrisim zërin tonë për atë që po ndodh në prapavi e ajo e dini se çka është Zaev dhe Buçkovski në prapavijë po bisedojnë, por opinioni nuk e din se çfarë po bisedojnë. Prandaj ne të gjithë jemi në rrugë të ngrisim zërin të kërkojmë nga pushteti që të tregoj se çfarë qëndron në tavolinë, a bisedohet përsëri për identitetin maqedonas, a bisedohet për kulturën, kombin, gjuhën dhe çfarë është ai udhërrëfyes, marrëveshje apo çkado qoftë.”,- u shpreh Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE.

“Jemi mbledhur si popull dhe si opozitarë në mbrojtje të asaj që paraqet identitet maqedonas, sepse këtë shpesh e dëgjojmë ditëve të fundit, se nëse nuk i jepni përmbajtje identitetit, përkatësisht nëse nuk e emërtojmë si kombëtar, nacional, historik dhe esencial, atëherë kjo nuk ka rëndësi. Me marrëveshjen bullgare, e sidomos në pjesën e historisë së përbashkët, neni 8, e sidomos alineja 2, preken disa momente të kulturës nacionale maqedonase, përkatësisht identiteti nacional maqedonas.”,- tha historiani, Natasha Kotllak.

Përveç udhëkryqit të Kuvendi, protestuesit e opozitës në Shkup bllokuan edhe udhëkryqin te objekti “Nova Makedonia” dhe të Q. T. “Mavrovasja”.

Gjatë protestës pranë udhëkryqit “Mavrovasja”, ka pasur edhe një incident ku një protestues është përleshur me policinë dhe i njëjti ka përfunduar në pranga. Protesta të ngjashme janë paralajmëruar edhe gjatë dy ditëve në vazhdim me bllokim të rrugëve nga ora 15:00 deri në orën 17:00. (Ersan Pajaziti, TVM2)