Botë

Departamenti i Drejtësisë: Trump nuk mund të jetë përgjegjës për komentet "fyese"

09.06.2021 09:21

Donald Trump nuk mund të mbahet personalisht përgjegjës për komentet "e vrazhda dhe fyese"...

Donald Trump nuk mund të mbahet personalisht përgjegjës për komentet "e vrazhda dhe fyese" drejtuar një gruaje e cila e kishte akuzuar për përdhunim, pasi i kishte bërë komentet ndërsa ishte president, thanë juristët e Departamentit amerikan të Drejtësisë të hënën vonë në një gjykatë apeli.
 
Përgjigja ndaj akuzave për sjellje të gabuar është pjesë e punës së presidentit, i thanë juristët e qeverisë Gjykatës së Apelit të Qarkut të 2-të të Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, vetë Shtetet e Bashkuara dhe jo zoti Trump, duhet të konsiderohen si i pandehuri në një proces gjyqësor për shpifje të hapur nga E. Jean Carroll, e cila thotë se ish-presidenti Trump e përdhunoi atë në mes të viteve 1990 në një dyqan luksoz në Manhatan.
 
Në mbrojtjen për zotin Trump të depozituar të hënën, Departamenti i Drejtësisë po vijon një përpjekje që filloi nën ish-Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, William Barr kur zoti Trump ishte ende në detyrë.
 
Ndërhyrja e zotit Barr tetorin e kaluar u kritikua gjatë fushatës nga kandidati i atëhershëm demokrat për president Joe Biden, i cili tha se ishte e papërshtatshme që Departamenti i Drejtësisë të përpiqej të ndërhynte në një betejë private ligjore mbi sjelljen personale të zotit Trump.
 
Mbajtja e të njëjtit qendrim nga Departamenti i Drejtësisë në ndjekjen e çështjes, edhe pasi zoti Trump humbi zgjedhjet, është përmendur nga disa si provë se presidenti Biden po i përmbahet premtimit se nuk do të përpiqet të ndikojë në lëvizjet e departamentit.
 
Roberta Kaplan, avokate e zonjës Carroll, një gazetare dhe opinioniste, tha në një deklaratë se ishte "e tmerrshme" që zoti Trump kishte përdhunuar klienten e saj por ishte "me të vërtetë tronditëse që Departamenti aktual i Drejtësisë do të lejonte që Donald Trumpi të mos mbante përgjegjësi për faktin që kishte gënjyer për një gjë të tillë, largohej duke gënjyer për këtë, duke e privuar kështu klienten tonë nga paraqitja në gjykatë. "
 
"Pozicioni i Departamentit të Drejtësisë jo vetëm që është i gabuar ligjërisht, por është moralisht i gabuar pasi do t'u jepte zyrtarëve federalë leje për të fshehur sjelljen e papërshtatshme private seksuale duke brutalizuar verbalisht publikisht çdo grua që ka guximin të ngrejë zërin," tha ajo.
 
"Ta quash një grua që e ke sulmuar seksualisht një" gënjeshtare ", një" të përdalë" ose "jo tipi im", siç bëri Donald Trump, nuk është sjellje zyrtare e një presidenti amerikan."