Maqedoni

Filipçe: Arritën 30 mijë vaksinat, donacion nga Turqia

09.06.2021 15:00

Në vend kanë arritur 30 mijë vaksina nga prodhuesi kinez “Sinovak” - donacion nga Turqia..

Në vend kanë arritur 30 mijë vaksina nga prodhuesi kinez “Sinovak” - donacion nga Turqia, të cilat u premtuan para disa ditësh në darkën e punës në Ankara mes kryeministrit, Zoran Zaev, me presidentin turk, Erdogan. Ministri i shëndetësisë, Filipçe, thekson se donacioni ka shumë rëndësi për vazhdimin e procesit të imunizimit.
 
“Vaksinat do të distribuohen në afat sa më të shkurtër në punktet e vaksinimit në tërë vendin”,- ka paralajmëruar Filipçe.
 
Deri tani në vend janë aplikuar gjithsej 410 mijë e 711 vaksina, dozën e dytë të vaksinës e kanë pranuar 159 mijë e 898 qytetarë, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Vetëm gjatë së martës, vaksinën anti Kovid e kanë marrë 10 mijë e 556 qytetarë, prej tyre, dozën e parë e kanë pranuar 1455 qytetarë. Deri tani, interesim për t’u vaksinuar kanë treguar 444 mijë e 898 qytetarë.
 
Kovid-19, 5 të vdekur, 23 të shëruar e 28 të infektuar
 
Raporti i 24 orëve të fundit flet për 28 të infektuar nga 2.619 të testuar. 5 persona e kanë humbur jetën, tre nga Shkupi - 61,75 dhe 79 vjeç, një 45 vjeçar nga Kumanova që është viktima më e re Kovid e ditës dhe një 72 vjeçar nga Struga. 23 persona janë shëruar. Aktualisht në vend ka edhe 451 raste aktive me Kovid-19, në 4 komuna nuk ka aktualisht asnjë rast aktiv. 
 
GYLTENE SINANI