Maqedoni
VMRO-DPMNE: Të zbardhen negociatat sekrete me Sofjen
09.06.2021 15:25
Opozita maqedonase këmbëngul që kryeministri Zaev të bëjë publike, sipas tyre: negociatat sekrete me Sofjen për kontestin dypalësh...

Opozita maqedonase këmbëngul që kryeministri Zaev të bëjë publike, sipas tyre: negociatat sekrete me Sofjen për kontestin dypalësh. Deputeti Milloshovski akuzon edhe ministrin e jashtëm Osmani për mungesën e paraqitjes së tij në kuvend, për të raportuar për pengesat në bisedimet me fqinjit lindor. Sipas VMRO-DPMNE-së, bisedimet me Sofjen shkojnë në dëm të RMV-së dhe nuk favorizojnë të ardhmen e vendit.
“Buçkovki dhe Zaev zhvillojnë për momentin bisedime sekrete jotransparente. Këto bisedime nuk janë për të ardhmen, por për të kaluarën, që është theksuar edhe në deklaratën e kuvendit bullgare. E dyta, ministri Osmani me ligj është i detyruar të vijë në parlament dhe të jep raport për çka bisedohet.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Rama nga Sofja: Bllokimi i RMV-së, pengesë edhe për Shqipërinë
Në prag të samitit të Këshillit të BE-së politikanët e rajonit po intensifikojnë takimet. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në bisedë me homologun e tij bullgar Janev ka potencuar se Shqipëria udhëton së bashku me RMV-në në aspirata integruese por duhet të dihet intervali i Rrugëtimit.
“Aktualisht do të vazhdojmë të ecim së bashku me RMV-në por shtrohet pyetja sa kohë do të kërkojë kjo e sa gjatë mund të presim? Mendoj se Bullgaria si vend anëtar i BE-së është e pjekur dhe duhet të kujtojë kur ndodhej në të njëjtën pozitë dikur dhe nga ana tjetër e ftoj të nxit dialogun me Maqedoninë e Veriut. Nëse është nevoja ne jemi gati të ndihmojmë por ndihma jonë është thjesht të themi: “Ju lutem flisni, komunikoni” sepse këto çështje mund të bëhen më të ndërlikuara.”,- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Bullgaria mbështet Shqipërinë, Janev: Çështjet me RMV-në, i zgjidhim mes nesh
Janev mohon se Sofja po e pengon rrugën evropiane të RMV-së, por thekson se janë disa çështje bilaterale ku askush nuk mund të ndërhyjë.
“Të mos mendojmë se Bullgaria po bën diçka që po e pengon rrugën europiane, si për Maqedoninë ashtu edhe për Shqipërinë. Ne e mbështesim por pozita e parlamentit bullgar sa i përket Maqedonisë së Veriut është pikërisht kjo pozitë që Bullgaria e mbron. Kjo vërteton se çështjet tona të dyanshme mund të zgjidhen vetëm përmes nesh. Ndërhyrjet e jashtme nuk janë aspak të mira pasi dy vendet duhet ta gjejnë vet rrugën e dialogut.”,- theksoi kryeministri i Bullgarisë, Stefan Janev.
Të enjten kryeministri shqiptar Edi Rama mbledh në Tiranë liderët e Ballkanit dhe eurokomisarin për zgjerim Varheji ku do të diskutohet integrimi i rajonit dhe problemet aktuale ballkanike.
NERMIN SINANI
