Parlamenti shqiptar votoi, shkarkohet me 104 vota pro presidenti, Ilir Meta
Me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim Kuvendi i Shqipërisë...

Me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim Kuvendi i Shqipërisë ka votuar shkarkimin e presidentit të Republikës Ilir Meta.
Për të miratuar këtë shkarkim, mazhorancës u duheshin 94 vota, por në seancën e sotme kjo shifër u tejkalua, duke çuar në shkarkimin për herë të parë të një presidenti në historinë e Shqipërisë.
Para votimit, kryeministri, Edi Rama, tha se Ilir Meta ka dhunuar kushtetutën dhe se shkarkimin e tij e duan 90% e shqiptarëve.
"Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotshëm nuk mund të ketë kurrsesi me statusin e lartë që i ka dhënë Parlamenti. Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit, ka turpëruar popullin shqiptar në marrëdhënie me SHBA, ka zhgarravtur fytyrën e Shqipërisë në marrëdhënie me përfaqësuesit e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Meta i ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë për t’u kthyer në binarët e arsyes ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, prandaj ky parlament sot do të ushtrojë vullnetin e më shumë se 90% të qytetarëve. Meta ka mbaruar punë dhe fjalët për të si president kanë mbaruar, tani të flasë parlamenti me votë.", tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë ditës presidenti, Ilir Meta, ka zgjedhur të mos reagojë, por ka vijuar agjendën e tij në presidencë me një grup valltarësh.
Komisioni hetimor ka identifikuar 30 akuza të rënda në adresë të Ilir Metës, reflektuar në raportin prej 100 faqesh.
Përpos thirrjeve për veprime të dhunshme dhe urrejtje para dhe gjatë zgjedhjeve të 25 prillit 2021 duke cenuar sigurinë publike, Kuvendi i Shqipërisë akuzon Metën për presion, shantazh dhe ndërhyrje të paligjshme në veprimtarinë e gjykatësve dhe prokurorëve, sidomos ndaj 5 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK. (Luljeta Ndoka, TVM2)
