Maqedoni

Përpjekje për stabilitet në Ballkan, Biden: “Non grata” kushdo që shkel marrëveshjet

09.06.2021 16:28

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka zgjeruar fushëveprimin e aktit për bllokimin e pronës...

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka zgjeruar fushëveprimin e aktit për bllokimin e pronës së personave që kërcënojnë përpjekjet stabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Në dekret potencohet edhe se kushdo që  nuk respekton Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen e Ohrit do të vendosen në listën e zezë dhe nuk do të kenë të drejtë të hynë në SHBA. Marrëveshja e Prespës  merret si shembull për zgjedhjen e problemeve edhe në vendet tjera. 
 
“Situata në territorin e ish RSFJ-së dhe Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas prishjes së ish RFSJ-së, si dhe korrupsionit të përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pengon progresin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim i pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”,- thuhet ndër të tjera në urdhrin e firmosur nga Biden.
 
Dekreti i Bidenit, Qeveria: Porosi për ata që bllokojnë proceset
 
Dekreti i Bajdenit është një porosi për të gjithë ata që bllokojnë apo dëshirojnë t’i bllokojnë proceset, potencojnë nga qeveria.
 
“Qytetarët e RMV fuqishëm kanë qëndruar edhe pas Marrëveshjes së Ohrit edhe asaj të Prespës. Këto janë themelet e kësaj shoqërie moderne, e cila është transformuar në shembujt europian me marrëdhënie stabile ndëretnike dhe të cilat orientojnë vendin në zhvillim, përparim dhe integrim. Kjo porosi e Biden është për të gjithë ata që i bllokojnë proceset.”,- u shpreh zëvendëskryeministri për luftë kundër krimit dhe korrupsionit, Ljubço Nikollovski.
 
Dekreti i Biden-it, opozita: SHBA të merret me korrupsionin në qeveri
 
VMRO DPMNE thotë se as e ka nënshkruar e as e përkrah marrëveshjen e Prespës por potencojnë se si legalistë që janë, respektojnë marrëveshjet dhe vullnetin e qytetarëve. i sugjerojnë SHBA-ve të merren më shumë me korrupsionin në qeveri.
 
“E rëndësishme është që të respektohet vullneti i qytetarëve. Na gëzon fakti që  në këtë dekret, aksenti kryesor vendoset në luftën kundër korrupsionit në gjithë këtë rajon si fenomen që rrezikon jo vetëm këto marrëveshje por edhe të drejtat njerëzore, ekonominë etj. Por i kishim sugjeruar administratën në Uashington që të merren më shumë me familjen e cila është në Qeveri, ku 10 familje e mbajnë korrupsionin në këtë shtet, ishte thënie edhe e ambasadorit Francës dhe kjo na ka bërë që të rangohemi në vendin e 111, si vende më të korruptuara”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
E majta ndërkohë paralajmëron se do të vazhdojë të kundërshtojë politikat e dëmshme që janë kundër interesave kombëtare, të vendosur që nga ASNOM-i.
 
“Marrëveshjet si të Ohrit, Prespës dhe Bullgarisë, shkaktojnë jostabilitet rajonal e jo e kundërta. Përvojat ndër vite tregojnë se Marrëveshja e Prespës është vetëm vegël për të kënaqur interesat e ngushta partiake të BDI-së, që tashmë 20 vite është në pushtet në Maqedoni”,- thuhet në reagimin e Partisë “E Majta”.  
 
FITIM KRYEZIU