Vërtetohet cilësia e dobët e mazutit, 7 kompani të përfshira, 4 mbeten pa licencë
4 kompani kanë importuar mazut të rrezikshëm....

4 kompani kanë importuar mazut të rrezikshëm dhe të dëmshëm ndaj shëndetit të qytetarëve, ndërsa 3 të tjera kanë pasur lëshime të mëdha me magazinimin dhe evidentimit administrativ të mazutit. Pas tri javësh hetime dhe analiza, Drejtoria e Doganave, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe i Mjedisit Jetësor dhe Byroja për Meteorologji vërtetuan lëshime, cilësi të dobët të mazutit të importuar, duke vërejtur më shumë ujë se sa nivel të lejuar dhe mazut të prodhuar nga gomat. Tashmë këto kompani janë gjobitur me 55.510 euro, ndërsa për një pjesë të tyre janë shqiptuar ndalesa për punë.
“Dua t’u siguroj qytetarëve se cilësia e derivateve të naftës që e përdorin qytetarët tanë por njëkohësisht edhe kapacitetet industriale, duhet të jenë patjetër në përputhje me standardet më të larta për siguri të produkteve.”,- theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Rregullatorët e KRRE-së paralajmërojnë se së shpejti do t’u merren licencat për punë për katër kompani që importonin mazut të rrezikshëm.
“KRRE filloi procedurën për marrjen e licencave për punë për katër kompani edhe atë për “RKM Shkup”, “Supertrejd eksport- import”, “Pertinaks Shkup” dhe “Lil eksport-import” – Kavadar, për shkak të mospasjes së rezervave operative.”,- u shpreh Marko Beslimovski nga KRRE.
E gjithë barra tani bie tek Prokuroria Themelore Publike, pasi që ata tani kanë dokumentacionin e plotësuar të këtyre institucioneve për të vërtetuar edhe përgjegjësi penale.
“I gjithë dokumentacioni me të gjitha gjetjet dhe raportet e institucioneve përgjegjëse, pasi përfunduan punën e tyre, i kemi dorëzuar deri te Prokuroria Publike Themelore për procedim të mëtutjeshëm, veprime të mëtutjeshme dhe vërtetim eventual nga këto organe në kuadër të obligimeve të tyre për të vërtetuar përgjegjësi përkatëse,- tha zëvendëskryeministri i angazhuar për luftë kundër korrupsionit, Ljupço Nikollovski.
Hetimet e institucioneve përkatëse trejavore i kanë përfshirë të gjitha fazat. Bekteshi paralajmëroi se ditëve në vijmë do të shpallën rezultatet e analizave tjera për cilësinë e derivateve në vend. (Rexhep Qamili, TVM2)
