Artistët e pavarur në protestë: Ministria e Kulturës na shkeli të drejtat

09.06.2021 17:52

Artistët e pavarur ankohen se Ministria e Kulturës....

Artistët e pavarur ankohen se Ministria e Kulturës po ua shkel të drejtat elementare artistëve të pavarur shqiptarë.

Ata thonë se u larguan pa asnjë arsyetim nga konkursi për subvencionimin e kontributeve shëndetësore dhe kontributeve të tjera nga i cili përfituan vetëm artistët maqedonas.

“Ministra e Kulturës në mënyrë brutale shkel mbi të drejtat e artistëve shqiptarë, gjegjësisht eliminoi të gjithë artistët e pavarur shqiptarë të cilët konkurruan në konkursin për të fituar të drejtën për pagë shëndetësore dhe kontribute tjera dhe njëkohësisht i largoi të gjithë ata të cilët e kishin të fituar atë të drejtë viteve të kaluara për këtë lëmi. Arsyeja është absurd i vërtet. Në vendim thuhet se nuk kemi sjellë mirënjohje, plaketa, diploma etj, për veprimtarinë tonë gjatë vitit 2020, më tregoni a funksioni arti në vitin e kaluar, apo ishim në pandemi.”,- deklaroi artisti i pavarur shqiptar, Pleurat Gashi.

Ata ankohen se në Komisionin për Vlerësime të Artistëve nuk ka pasur asnjë shqiptar, pra nuk ka pasur asnjë mundësi për vlerësim real.

Kërkojnë rishqyrtim të vendimit, anulim të konkursit të fundit dhe  përfshirjen e shqiptarëve në komisionin që përzgjedh aplikimet në mënyrë që të bëhet vlerësim me i mirë dhe më i denjë i artistëve shqiptarë. (Sedat Selimi, TVM2)