Mali i Sharrit – Park Kombëtar, javën që vjen pritet votimi i ndryshimeve ligjore
Në organizim të Ministrisë së Ekologjisë...

Në organizim të Ministrisë së Ekologjisë, në Kodrën e Diellit u promovua projekti për shpalljen e Malit Sharr – Park Kombëtar, një nismë kjo që pritet të finalizohet me miratimin e ligjit të posaçëm nga Kuvendi.
Kjo ide është përkrahur nga 82 % e të anketuarve nga kjo zonë. Autoritetet thonë se ky vendim do të sjellë benefite konkrete për gjithë zonën. Pritet dritë jeshile nga kuvendi javën e ardhshme dhe më pas nisjen e fazës më të vështirë, asaj të implementimit të ligjit.
“Shpallja e Maleve të Sharrit Park Kombëtar ka për t’u pasuar me benefite konkrete për gjithë zonën përmes konkretizimit të më shumë projekteve.”,- tha drejtori i mjedisit, Hisen Xhemaili.
“Pas leximit të dytë të Ligjit debati u shter. Tani pritet deputetët të votojnë gjelbër dhe ne ta gëzojmë Parkun e ri Nacional. Shpallja e Sharrit – Park Kombëtar ka për t’u pasuar me benefite pozitive për banorët e zonës në fusha të ndryshme, nga përmirësimi i infrastrukturës e deri tek zhvillimi i turizmit.”,- tha ministri i ambienti jetësor, Naser Nuredini.
Xhemaili dhe Nuredini lanë të kuptohet se po bisedohet për ndërprerjen e kontratave për ndërtimin e disa minihidrocentraleve.
Mali Sharr është “shtëpi” e dy të tretave të llojeve bimore në RMV. Nëse merr bekimin në kuvend, ligji i ri do të mundësojë krijimin e një nga zonat më të mëdha të mbrojtura ndërkufitare në Europë.
Vlerat e jashtëzakonshme natyrore, biodiversiteti, gjeodiversitetit, veçoritë hidrologjike, peizazhetpiktoreske të Sharrit, janë të mira me interes publik që duhen mbrojtur. (Visar Sadiki, TVM2)
