Botë

Biden paralajmëron Rusinë para takimit me Putin

10.06.2021 12:45

Presidenti amerikan, Joe Biden ka nisur vizitën e tij në Evropë me një paralajmërim ndaj Rusisë...

Presidenti amerikan, Joe Biden ka nisur vizitën e tij në Evropë me një paralajmërim ndaj Rusisë, duke thënë se ky vend mund të përballet me pasoja “të mëdha” nëse përfshihet në “aktivitete të dëmshme”.
Presidenti Biden të mërkurën ka arritur në Britani të Madhe. Ai do të takohet me kryeministrin britanik Boris Johnson për t’u pajtuar për “Kartën e re të Atlantikut”. 
 
Përgjatë vizitës tetëditore në Evropë, Biden do të takohet me Mbretëreshën britanike Elizabeta II, me liderët e samitit të shtatë vendeve më të industralizuara dhe do të marrë pjesë në samitin e NATO-s, për herë të parë si president. Në fund të udhëtimit, Biden do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në Gjenevë. Ai e ka bërë të qartë synimin e tij për të forcuar lidhjet me aleatët amerikanë, pas tensionimit të lidhjeve me administratën e paraardhësit të tij, Donald Trump. Duke iu drejtuar trupave amerikane dhe familjeve të tyre në bazën ushtarake RAF Mildenhall në Suffolk, Biden ka thënë se do të ketë mesazh të qartë për presidentin rus, Vladimir Putin.
 
“Ne nuk duam konflikt me Rusinë. Ne duam marrëdhënie stabile dhe të parashikueshme, mirëpo unë kam qenë i qartë. Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen fuqishëm nëse Qeveria ruse përfshihet në aktivitete të dëmshme”.