Maqedoni
IN MEMORIAM, ndërroi jetë gazetari i TVM2, Reshat Kamberi
10.06.2021 14:26
Dje ndërroi jetë gazetari i TVM2, Reshat Kamberi, në Spitalin Shtetëror “Nënë Tereza” në Shkup nga arresti kardiak...

Dje ndërroi jetë gazetari i TVM2, Reshat Kamberi, në Spitalin Shtetëror “Nënë Tereza” në Shkup nga arresti kardiak, kur sapo doli nga një operacion për një tjetër diagnozë e rëndë.
Reshat Kamberi lindi në vitin 1962 në Koliçan të Shkupit. Mbaroi studimet universitare për kimi në Shkup dhe në vitin 1991 u punësua si gazetar në TVM, në Redaksinë e Gjuhës Shqipe. Në fillim u profilizua si gazetar i ekonomisë, e me pas si autor dhe moderator i emisionit debativ “Reflekse”. Pas një shumësi emisionesh në TV, ai vazhdoi punën gazetareske në Radio Shkupi. Gjatë viteve 2008 -2010, ishte drejtues i Programit Shqip në “Radio Shkupi”, në postin e kryeredaktorit. Pas vitit 2001, rikthehet ne programin televiziv, në pozicionin e redaktorit të Redaksisë së Dokumentarit në TVM2.
Gjatë 10 viteve të fundit, Reshat Kamberi ka punuar me një pasion të veçantë si autor i mbi 90 dokumentareve televizive brenda dhe jashtë vendit. Në dokumentarët e Reshat Kamberit janë trajtuar tema nga më të ndryshmet, që nga portretet e njerëzve të njohur, temat historike, temat nga tradita, kultura, arsimi etj. Reshat Kamberi njihej si një njeri që e donte shumë natyrën dhe ishte një lloj eksploruesi i natyrës edhe në jetën e tij private. Dhe pa dyshim, pasionin për natyrën Reshati e përfshiu në disa dokumentarë, që janë më të spikaturat e prodhimtarisë së tij.
Reshat Kamberi ishte një njeri i qetë, hokatar dhe me plot humor. Për shumë vite ai ka qenë aktiv në jetën politike e shoqërore, si edhe ka kontribuar në jetën kulturore, sidomos në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore “Karshiaka” të Shkupit.
Reshat Kamberi u largua papritur nga jeta në moshën 59 vjeçare. Në tavolinën e tij të punës ka mbetur i hapur një skenar filmi dokumentar i papërfunduar që mban titullin “Karshiaka e Shkupit”.
MERITA ÇOÇOLI
