Maqedoni
Alternativa: Investime selektive në terrenet sportive në Kumanovë
10.06.2021 16:14
Ish futbollisti kumanovar, Florim Ymeri, aktualisht këshilltar i partisë Alternativa në Këshillin komunal të Kumanovës...

Ish futbollisti kumanovar, Florim Ymeri, aktualisht këshilltar i partisë Alternativa në Këshillin komunal të Kumanovës, akuzon autoritetet lokale e qendrore për investim selektiv në ngritjen e terreneve sportive. Ymeri thotë se dikur Kumanova ishte një qendër e vërtetë e zhvillimit dhe kultivimit të sporteve të ndryshme, e tanimë me dekada, për fat të keq, shumë sporte janë lënë në harresë.
“Në atë anë kemi pishinë, objekte për hendboll, pista për vrapim, patinazh, terrene për tenis, të gjitha këto të mbuluara nga buxheti i Komunës dhe burime të tjera financimi, të cilat mbushen edhe nga të gjithë taksapaguesit, përfshirë edhe qytetarët shqiptarë. Siç e dimë, kryetari Maksim Dimitrievski u tregua i aftë në rinovimin e plotë të kompleksit sportiv në lagjen “Sokolana”, por shfaqi paaftësi në rregullimin e këndeve për fëmijë në “Lagjen e Trimave”, në lagjen “Dardania”, në parkun e qytetit të Kumanovës, si dhe në pjesët tjera të qytetit, ku shumica e banorëve janë shqiptarë. Megjithatë, kulmi i neglizhencës së pushtetit BDI-LSDM është stadiumi i qytetit, i cili është lënë në gjendje të mjerueshme. Si duket LSDM-ja, por edhe BDI-ja, nuk janë aspak të interesuara për rregullimin e stadiumit të qytetit, aty ku dikur organizoheshin gara të ndryshme dhe ku reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut zhvillonte ndeshje sportive me reprezentacionet e shteteve tjera. Hiç më mirë nuk është gjendja as me sallat sportive.”,- tha këshilltari i partisë Alternativa në Këshillin e Kumanovës, Florim Ymeri.
FATLUM AQIFI
