Maqedoni
Viti shkollor përfundoi, nxënësit - mësuesit: Vit i sfidave e problemeve
10.06.2021 17:05
Filloristët dhe nxënësit e shkollave të mesme përfunduan vitin shkollor...

Filloristët dhe nxënësit e shkollave të mesme përfunduan vitin shkollor, i ashtuquajturi vit i pandemisë globale, që shtyu për një muaj fillimin e mësimit dhe ishte tepër sfidues, si kuadrin arsimor po ashtu edhe për nxënësit. Nxënësit thonë se protokollet e definuara, si mbajtja e maskave dhe distanca, penguan socializimin e nxënësve. U evidentuan shumë probleme teknike me kyçjen në platformat digjitale, kishte edhe raste kur profesorët dhe nxënësit nuk ishin të rregullt në ligjëratat online. Qëndrimi i gjatë para kompjuterit ishte proces i lodhshëm, thonë nxënësit e shkollave të mesme, dhe theksojnë se ka pasur shumë vështirësi gjatë mësimit online.
“Mungesa kishte edhe nga nxënësit, por edhe nga profesorët, por ky fenomen ishte vetëm në disa raste. Qëndrimi i gjatë në shtëpi dhe para kompjuterit ishte problem edhe për shëndetin tonë dhe për socializmin dhe komunikimin tonë si nxënës, që të mos kemi kontakte edhe me tjerë me rastin e pandemisë dhe shpresoj të mos përsëriten.”,- u shpreh një nxënës.
“Interneti nuk ishte i mirë, nuk mundesha të kyçem. Kishim shumë probleme.”,- tha një nxënës.
“Për të hyrë në orët online ka qenë pak e vështirë, disa prej kushteve që kanë, disa kanë ardhur në shkollë sepse profesorët na i kanë dhënë të gjitha mundësitë dhe janë munduar të jetë procesi sa më i lehtë për ne.”,- deklaroi një nxënëse.
“Rrjeti i dobët, nuk kanë mundur të kyçen dhe të vlerësohen në kohë të caktuar, është dashur që nxënësit t’i jepet një termin tjetër, ku ishte punë shtesë edhe për profesorët, por edhe për nxënësin stres si në mësim online dhe nëse ka pasur probleme me teknologjinë ajo ka ndikuar negativisht te nxënësit.”,- u shpreh profesoresha, Ajshe Beqiri.
Edhe nxënësit e shkollave fillore hasën në shumë vështirësi, e në veçanti potencuan internetin e dobët në shkollë.
“Nuk munedshim të kyceshim mësimi nuk ishte në kalendar i tregonim arsimtarit ose mësueses dhe ata thonin ok. Kishim probleme me internetin kishim mugesa shumë dhe kjo ishte e vështirë e tëra.”,- tha një nxënës.
Të gjithë janë të kënaqur që ky vit përfundoi dhe presin me padurim shatorin dhe kthimin me prani fizike nëpër shkolla.
FLUTURA LATIFI
