Maqedoni
Covid-19, 1 viktimë, 18 të infektuar dhe 31 të shëruar
10.06.2021 17:23
Gjatë 24 orëve të fundit nga Kovid-19 në vend u shënua një viktimë, ndërsa nga 2411 teste të realizuara....
Gjatë 24 orëve të fundit nga Kovid-19 në vend u shënua një viktimë, ndërsa nga 2411 teste të realizuara, 18 pacientë rezultuan pozitiv. Viktima ishte një 61 vjeçar nga Shkupi, i cili ka vdekur në kushte spitalore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 31 persona janë shëruar derisa numri i rasteve aktive shënon 437 persona, prej të cilëve 208 në Shkup, 50 në Kumanovë, 32 në Prilep, nga 20 në Tetovë dhe Kërçovë, 16 në Ohër, 15 në Gostivar, 13 në Manastir dhe më pak se nga 10 të infektuar në qytete tjera të vendit. Është rritur në 6 ndërkohë numri i qyteteve pa asnjë rast aktiv.
3 pacientë të rinj në Shkup në 24 orët e fundit
Në Shkup janë hospitalizuar 3 pacientë të rinj për shkak të komplikimeve me Kovid 19, me çka numri i të hospitalizuarve arrin në 121 persona, njofton Ministria e Shëndetësisë, derisa mbesin akoma rreth 500 shtretër të lirë. 48 pacientë po trajtohen në Shkup, ndërsa 73 të tjerë në qytete tjera të vendit, si në Kumanovë 15, Veles 11, Strumicë 9, Gostivar 8, Manastir dhe Ohër 7, Shtip 5, Strugë 4, Prilep 3, ndërsa në Tetovë dhe Kërçovë nga 2 pacientë.
Raporti i 24 orëve të fundit në vend flet për gjithsej 9.631 qytetarë të vaksinuar, ndërsa dozën e parë të vaksinës e kanë pranuar 1.391 qytetarë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, procesi i vaksinimit rrjedh si duhet, ku janë aplikuar 420.821 doza të vaksinave, derisa 168.284 qytetarë janë rivaksinuar. Ndryshe, në ueb-platformën vakcinacija.mk janë paraqitur për vaksinim 446.195 qytetarë. Sipas të dhënave të fundit, 48% e popullsisë mbi moshën 70 vjeç, 42% e mbi moshën 65 vjeç, 35% mbi moshën 60 vjeç kanë marrë një dozë të vaksinës.
LEUNORA KALIQI
