Maqedoni
VMRO-DPMNE vazhdon protestat: Zaev të zbardhë çfarë bisedohet me Bullgarinë
10.06.2021 18:28
VMRO-DPMNE vazhdoi në ditën e tretë protestat, në të cilat opozita që nga e marta kërkon nga Qeveria..

VMRO-DPMNE vazhdoi në ditën e tretë protestat, në të cilat opozita që nga e marta kërkon nga Qeveria që publikisht të tregojë se cilat janë temat që po diskutohen me Bullgarinë dhe cilat janë kompromiset të cilat i kanë pranuar dyshja Zaev-Buçkovski. Akuzojnë qeverinë se po shet identitetin.
“Këto protesta e irritojnë Qeverinë, por edhe më irrituese do të jetë nëse Maqedonia e pranon deklaratën e Bullgarisë, pa tentuar që t’i mbrojë interesat shtetërore dhe nacionale. Dhe nëse e lejojmë Zaevin që këto tema t’i bisedojë ndër tavolinë, atëherë do të jemi qytetarë që nuk e meritojmë këtë Maqedoni.”,- deklaroi anëtari i këshillit të përgjithshëm në VMRO-DPMNE-së, Stefan Andonovski.
“Kjo marrëveshje ndërkombëtare thellë ka goditur në konventën europiane për të drejtat e njeriut, prandaj në këtë aspekt ne do të vazhdojmë me protestat.”,- u shpreh Ivan Stoilkoviq nga Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni.
“Shteti duhet të jetë një shtet që do të ketë një identitet të mbrojtur, shtet i cili ka prosporitet, por për t’i pasur këto, varet nga Qeveria e cila po udhëheq bisedimet me Bullgarinë. Çështja e hapur që kemi ne me Bullgarinë është çështje në mes dy shteteve dhe nuk do të lejojmë që ky dallim të shndërrohet në dallim mes Qeverisë së Bullgarisë dhe Zoran Zaevit. 120 deputetë, opinioni, por edhe ministrat e Qeverisë nuk kanë asnjë informacion se për çka është duke biseduar Zaevi me Bullgarinë.”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ljupço Prenxhov.
Bllokada përveç në Shkup, paralelisht janë realizuar edhe në Shtip, Veles, Koçan, Prilep, Strumicë, Ohër, Manastir, Kavadar dhe Kërçovë. Organizatorët potencuan se vazhdimi i protestave do të varet nga veprimet e Qeverisë.
FITIM KRYEZIU
