Maqedoni
Shkarkimi i Ilir Metës nga parlamenti, ekspertët: Raporti i Komisionit, i njëanshëm
10.06.2021 19:00
Me zhvendosjen e betejës në Gjykatën Kushtetuese, presidenti i shkarkuar Ilir Meta...

Me zhvendosjen e betejës në Gjykatën Kushtetuese, presidenti i shkarkuar Ilir Meta i ka ende shanset për të qëndruar në detyrë. Më shumë se shkeljet e Kushtetutës të pretenduara se janë kryer nga kreu i shtetit, pikëpyetjet që e vënë në diskutim nismën e mazhorancës, lidhen me procedurën e ndjekur nga komisioni hetimor. Juristi, Ledio Braho, tha për televizionin MCN në Tiranë se veprimet e komisionit lënë shumë hapësira për intepretim.
“Gjykata Kushtetuese do të bëjë interpretimin kushtetues. Për mendimin tim , së pari duhet të shohë pjesën kushtetuese, pra nëse kuvendi e ka respektuar Kushtetutën, që në momentin që u depozitua kërkesa nga 49 deputetët dhe më tej në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve për nisjen e një komisioni hetimor, deri në vendimarrjen për shkarkimi e Presidentit në Kuvend”.
Sipas juristit Braho, raporti i komisionit hetimor është i njëanshëm pasi ka vetëm argumentet e njërës palë, çka i jep presidentit mundësinë e mbrojtjes.
Pas dërgimit të vendimit të kuvendit në Gjykatë kushtetuese, kjo e fundit ka tre muaj kohë për të vendosur nëse do të shqyrtojë dosjen e shkarkimit për herë të parë, të një presidenti në Shqipëri. Ilir Meta u shkarkua nga detyra një ditë më parë, me 104 vota pro,7 kundër dhe 3 abstenim.
Komisioni hetimor ka identifikuar 30 akuza të rënda në adresë të Ilir Metës, reflektuar në raportin prej 100 faqesh. Përpos thirrjeve për veprime të dhunshme dhe urrejtje para dhe gjatë zgjedhjeve të 25 prillit 2021 duke cenuar sigurinë publike, Kuvendi i Shqipërisë akuzon Metën për presion, shantazh dhe ndërhyre të paligjshme në veprimtarinë e gjykatësve dhe prokurorëve, sidomos ndaj 5 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK.
LULJETA NDOKA
