Botë

Kosova feston lirinë, 22 vjet nga përfundimi i pushtimit serb

11.06.2021 12:08

Sot bëhen 22 vjet nga tërheqja e forcave ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova...

Sot bëhen 22 vjet nga tërheqja e forcave ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova, duke shënuar kështu fundin e pushtimit serb.Ushtria serbe u dorëzua nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare në tokë dhe bombardimet e NATO-s që e detyruan të nënshkruajë marrëveshjen e kapitullimit më 9 qershor 1999 në Kumanovë. Ndër të tjera, në marrëveshje parashihej që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare, duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, anti-rebeliste, anti-terroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.

U caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, e një zonë 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në, që nuk guxonte të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë. Sulmet, që vazhduan për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-s, gjenerali Ueslej Klerk, i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore kishin detyruar pushtuesin serb të fillonte tërheqjen e plotë të forcave nga Kosova. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara-UNMIK, i cili do të administronte vendin deri në shpalljen e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008.