Deri në mes të dhjetorit nuk priten rreshje të borës
Kohë me shi, vranësira dhe mjegull në të gjithë territorin e vendit. Një mot i tillë do të mbizotërojë gjatë gjithë kësaj jave......

Ndonëse vendet e rajonit tashmë kanë nisur të përballen me një valë të ftohtë dhe temperatura nën zero, në Maqedoni, deri në mes të këtij muaji sinoptikanët nuk parashikojnë të ketë ndryshime të mëdha të motit.
Siç informojnë ata, deri në fund të javës temperaturat e mëngjesit dhe ato të ditës në tërë vendin do të sillen prej 5 deri më 13 gradë celsius. Të paktën, deri më 15 dhjetor nuk parashihet të ketë reshje të dendura të dëborës dhe temperatura shumë të ulëta.

“Gjatë kësaj jave nuk presim ndryshime të mëdha të motit. Kryesisht në ditët në vijim, moti në të gjithë vendin tonë do të jetë me reshje të shiut, të cilat do të intezivohen më së shumti gjatë orëve të natës, por ato do të shoqërohen edhe me mjegull, me intensitet pak më të theksuar. Temperaturat do të ulën për 2 ose 3 gradë celsius”- deklaroi sinoptikania, Konstadinka Arsovska.
Për shkak të mjegullës, në aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup mbrëmë u anuluan aterimet dhe fluturimet e parashikuara për në Vjenë.
Nga Kompania Ajrore “TAV”, deri në këto momente informojnë se nuk ka ndalesë të fluturimeve të tjera. Ndërkohë, komunikacioni rrugor dhe ai hekurudhor në Maqedoni po zhvillohet pa ndalesa.
Nga Lidhja e Automotos së Maqedonisë, u rekomandojnë shoferëve të automjeteve të kenë kujdes të veçantë në akset rrugore të cilat kalojnë përmes grykave malore, sidomos në rrugën Katllanovë-Veles, Mavrovë-Dibër dhe Demir Kapi-Udovë. (Rexhep Qamili, TVM2)
