Botë

Kurti: Dialogu i deritanishëm nuk përmbushi pritshmëritë

11.06.2021 15:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur me tone kritike për mënyrën e rrjedhës së dialogut me Serbinë...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur me tone kritike për mënyrën e rrjedhës së dialogut me Serbinë nga qeveritë e kaluara. Kurti duke folur para deputetëve tha se janë nënshkruar një sërë dokumentesh me emërtime të ndryshme, ndërsa nuk është i definuar saktë numri i marrëveshjeve, pasi varion nga 15 deri në 53 marrëveshje. Nga këto marrëveshje janë pritur përfitime të mëdha për Kosovën, por kjo nuk ka ndodhur, tha Kurti. Sipas tij, dialogu kishte filluar pa parime për pritshmëritë nga procesi.   
                                                                         
“Procesi gradualisht është reduktuar vetëm për pozitën e një minoriteti në Kosovë si dhe për rregullimin e brendshëm në vend, ndërkohë që të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit nuk ishin përfshirë fare në agjendë.”,- tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Nuk na ngutet Kosova, është shtet i pavarur
 
Në prag të takimit të parë të Kurtit me presidentin serb Vuçiq më 15 qershor në Bruksel për ta rifilluar dialogun, ai tha se nuk ka nevojë të krijohet ndjenja se Kosovës po i ngutet ta zgjidh statusin e saj, kur Kosova është vend i pavarur. 
 
“Pse po ngutemi ne e përse duhet të ngutemi, ne jemi vend i pavarur? Koha që kalon duhet ta ndryshojë realitetin në Serbi, duke sjellë pranimin për krimet e tyre e njohjen për pavarësinë tonë e jo ta ndryshojmë realitetin e Kosovës së pavarur.”,- u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Kryeministri Kurti njëherit theksoi se dialogu deri tani është dëmtuar edhe nga qasja asimetrike e BE-së me ndërlidhjen e procesit të dialogut me avancimin e integrimeve në BE, e cila ka qëndrim neutral ndaj palëve, për dallim nga SHBA-të, që thekson se dialogu duhet të rezultojë me njohje reciproke. Kurti njëherit ftoi spektrin politik kosovar për unitet në dialogun me Serbinë.   
 
GYLTENE SINANI