Maqedoni

ShBA-të: RMV dhe Shqipëri të fillojnë negociatat me BE-në

11.06.2021 16:09

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në pa asnjë prolongim të mëtutjeshëm. Këtë e ka theksuar zëdhënësi i departamentit të shtetit, Ned Prajs, në Twitter, duke kumtuar angazhimin e SHBA-ve për vazhdimin e perspektivës eurointegruese të Shkupit dhe Tiranës. 
 
“Përkrahim hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë pa prolongim. Po angazhohemi në nivel maksimal në qeveri, për të demonstruar përkushtimin tonë drejt rrugës evropiane të vendeve aspirante”. 
 
Për angazhimin e SHBA-ve në zhvillimin dhe demokratizimin e Ballkanit Perëndimor flet edhe takimi i javës së ardhshme i presidentit amerikan Xho Bajden me liderët e vendeve anëtare të BE-së. Kjo përpjekje amerikane lë hapësirë për të shpresuar se diplomacia e departamentit të shtetit do t’i bëjë presion Brukselit zyrtar që ti hap rrugën Shkupit dhe Sofjes në nisjen e negociatave, për të cilën duhet të vendosin zyrtarisht vendet e unionit më 22 qershor në samitin e Këshillit të BE-së.
 
Angellov: Po bëjmë gjithçka për rezultat pozitiv
 
Ambasadori bullgar në vendin tonë, Angel Angelov, thotë se bisedimet mes Sofjes dhe Shkupit po zhvillohen pa dëmtuar askënd ndërsa thekson se Bullgarinë nuk mund ta ndal askush që t’i mbrojë interesat nacionale.
 
“Asgjë nuk është e dëmshme. Bisedimet po rrjedhin dhe për askënd kjo nuk është sekret. Bëjmë gjithçka që të vijmë në një farë rezultati pozitiv eventualisht deri më 22 qershor… Nuk e di se kush mund t’i bëjë presion Bullgarisë që të mos i mbrojnë interesat nacionale.”,- theksoi ambasadori i Bullgarisë në RMV, Angel Angelov.
 
Deri në fund të muajit pritet të shihet se si do të jetë epilogu për fatin e Shkupit  dhe Tiranës për fillimin e negociatave. Eurokomisari për zgjerim Varheji në samitin e Tiranës paralajmëroi se muajin qershor mund të jetë  muaj për Ballkanin Perëndimor, duke mos shpaluar detaje të hollësishme. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU