Maqedoni
Maturantët iu nënshtruan provimit intern, gjuha angleze ishte preferenca e tyre
11.06.2021 16:26
Maturantët iu nënshtruan provimit të dytë të maturës shtetërore....

Maturantët iu nënshtruan provimit të dytë të maturës shtetërore. Provimet filluan në orarin e paraparë pa probleme teknike, ndërsa shkollat u përgatitën me sukses për realizimin e maturës shtetërore.
“Gjithsej testohen 385 maturantë, gjithçka ka rrjedh në rregull, janë respektuar të gjitha protokollet nga Ministria e Arsimit dhe Drejtësisë, tani po rrjedh gjithçka siç duhet dhe nga nxënësit nuk kemi vërejtje për testin.”,- tha drejtori, Faruk Zeqiri.
Edhe këtë vit shumica e nxënësve zgjodhën gjuhën angleze edhe pse kishin mundësi të testohen edhe në lëndën e matematikës. Ky fenomen përsëritet çdo vit, sepse gjeneratat e reja njohin mirë gjuhët e huaja, thonë profesorët.
“Kjo grupmoshë e nxënësve e di gjuhën angleze dhe kjo mund të jetë një prej shkaqeve që gjithmonë e zgjedhin gjuhën angleze dhe duke e ditur se matematika kërkon përkushtim dhe ushtrim të detyrave.”,- tha profesoresha, Ajshe Beqiri.
Maturantët vlerësojnë testimin si korrekt, vështirësi ishte vetëm përgatitja online
Ndërkohë, nxënësit potencuan se gjithçka ishte në rregull dhe nuk kishte pyetje të paqarta. E vetmja brengë e tyre ishte mësimi online, i cili vështirësoi procesin e mësimit, meqenëse edhe orët ishin të shkurtuara dhe kishte probleme teknike.
“Më mirë është me prezencë fizike mund t’i kuptosh gjërat më lehtë aty mund të kishte dhe ndërprerje të internetit kishte probleme edhe aplikacioni, mirëpo e kaluara me sukses edhe ketë test të maturës.”,- tha një nxënës.
“Sa i përket pyetjeve të testit ishin të vështira, sepse nuk kemi mundur të përgatitemi me prezencë fizike dhe me ndihmë të profesorëve por gjithsesi ia kaluam.”,- theksoi një qytetar.
Nga Qendra Shtetërore e Provimeve potencojnë se 13.452 maturantë iu nënshtruan provimit në gjuhë angleze në krahasim me 1529 maturantë që u testuan në lëndën e matematikës. Rezultatet do të shpallen 30 ditë pas përfundimit të provimit të dytë ekstern. Diploma e fituar është kusht për regjistrimin e nxënësve në arsimin sipëror në vend dhe jashtë vendit.
FLUTURA LATIFI
