Në USHT, u votua për kryetarin e Parlamentit Studentor

01.12.2014 17:36

Nderim Limani nga Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Ardian Bilalli nga Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë, janë dy student-kandidatët të cilët garuan për të marrë postin kryetar i Parlamentit Studentor në Universitetin Shtetëror të Tetovës...

Procesi zgjedhor ka filluar nga ora 09:00 e mëngjesit dhe të gjitha vendvotimet janë hapura në kohë.

Nga Komisioni Zgjedhor thonë se procesi i votimit ka rrjedhur pa probleme si në Tetovë ashtu edhe në studimet e disperzuara.

“Për herë të parë në historinë tonë studentët kanë mundësi të votojnë, d.m.th. të zgjedhin kryetarin e tyre. Nuk e kemi pritur që do të jetë kaq i madh interesimi i studentëve. Në orën 9 janë hapur të gjitha vendvotimet dhe kemi gjithsej 12 vendvotime”- deklaroi  kryetari i Komisionit Zgjedhor, Faik Bajrami.

“E mira është që edhe në fakultetet e disperzuara kemi hapur pika votimi, këto kanë qenë shanse të vogla, por prapë se prapë u arrit qëllimi”- tha anëtarja e Komisionit Zgjedhor, Fjola Telaja.

Dy studentët të cilët garuan për postin kryetar i Parlamentit Studentor, deklaruan se cilido qoftë që do të fitojë udhëheqjen, do të punojë në mbrojtjen e interesit të studentit.

“Synojmë të bëjmë ndryshime të mëdha për të mirën e studentëve, për të drejtat e studentëve, pasi që jemi shumë të vetëdijshëm se jemi një institucion i ri, mirëpo ka shumë gjëra që duhet të ndryshohen dhe duhet të vazhdojmë të hapërojmë në drejtim të ndjekjes së universiteteve më prestigjioze evropiane”- u shpreh kandidati për kryetar i PS-USHT-së, Nderim Limani.

“Besoj se unë me ekipin tim do të punoj me vendosshmëri të madhe dhe përkushtim për funksionimin dhe konsolidimin e mëtutjeshëm të Parlamentit Studentor, i cili është një institucion shumë i rëndësishëm për të mbrojtur të drejtat e të gjithë atyre studentëve që studiojnë në USHT”- theksoi kandidati për kryetar i PS-USHT-së, Ardian Bilalli.

Ndërkohë, ish-kryetari i Parlamentit Studentor në USHT, Shaban Arsllani, sugjeroi dy kandidatët që të kontribuojnë sa më shumë për studentët.

“Unë i inkurajoj që ata të vazhdojnë edhe më fuqishëm të kontribuojnë për studentët, për universitetin, sepse vetë universiteti është histori në vete”- potencoi ish-kryetari i PS-USHT-së, Shaban Arsllani.

Votimet janë mbyllur në orën 17 dhe pritet që pas numërimit të votave, të mësohet emri i kryetarit të ardhshëm të PS-USHT-së. (Sanije Kasami, TVM2)