Botë

Meta injoron shkarkimin e tij nga Kuvendi

11.06.2021 18:16

48 orë pasi u shkarkua nga Kuvendi, Ilir Meta theu heshtjen duke pranuar përfshirjen në fushatë elektorale....

48 orë pasi u shkarkua nga Kuvendi, Ilir Meta theu heshtjen duke pranuar përfshirjen në fushatë elektorale, të diktuar, sipas tij nga mazhoranca, që e votoi për ta larguar.
 
"Jo jam përfshirë në fushatë për mbrojtjen e zgjedhjeve. Janë ftuar të gjitha forcat politikë të bashkëpunojnë pa asnjë përjashtim. Janë 30 denoncime zyrtare janë nisur për ato institucione që kanë për detyrë të hetojnë krimet zgjedhore.", tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Meta përsëriti se e injoron vendimmarrjen e Kuvendit dhe mbi këtë arsyetim do të vendosë edhe për dekretimin e qeverisë Rama 3.
 
"Ai Kuvend është turpi i gjithë atyre që e krijuan bashkë. E përjashtoj veten në mënyrë kategorike nga ajo që ka ndodhur atë ditë që kam qenë në Gjermani.", tha Meta.
 
Teksa vendimi i kuvendit që e shkarkoi me 104 vota, pritet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, presidenti, Ilir Meta, shmangu përgjigjen direkte nëse do e pranonte verdiktin e trupit gjykues, në rast se vulos ndërprerjen e mandatit të tij.
 
Presidenti përshëndeti edhe vendimin e fundit të presidentit amerikan, Xho Bajden, që parashikon bllokim të pasurisë të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve shqiptare, që ndikojnë në destabilizimin në Ballkan.
 
LULJETA NDOKA