Maqedoni
Tetovë, u mbajt manifestimi “Lidhja na bashkon”
11.06.2021 18:29
Shoqata për Kulturë dhe Art “Tradita”, në Qendrën për Kulturë në Tetovë organizoi Edicionin e tetë...

Shoqata për Kulturë dhe Art “Tradita”, në Qendrën për Kulturë në Tetovë organizoi Edicionin e tetë të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”. Në kuadër të këtij manifestimi u shënua 143-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, u përkujtuan masakrat në Tivar dhe Dubrovnik, të kryera ndaj shqiptarëve para 76 vjetësh. Selam Sulejmani kryetari i Shoqatës “Tradita” tha se të kaluarën tonë plot dhimbje e sakrifica nuk guxojmë ta harrojmë.
“Sot bashkërisht do ta përkujtojmë masakrën e Tivarit dhe të Dubrovnikut, të kryera ndaj shqiptarëve para 76 vjetëve, masakra këto të kryera nga shteti komunist jugosllav. Pos kësaj, regjimi i ri jugosllav kishte mobilizuar dhunshëm dhjetëra e mijëra shqiptarë të tjerë për t’i dërguar në frontet e luftës në Dalmaci, në Srem e kudo nëpër Jugosllavi. Por, në vend se t’i dërgonin në frontet e luftës, në muajt mars - prill 1945, shovinistët serbë kryen vrasje monstruoze dhe masakra të tmerrshme mbi ushtarët përkatësisht - rekrutët e paarmatosur shqiptarë” – tha kryetari i Shoqatës “Tradita”, Selam Sulejmani.
Çmimi kombëtar “Ali Vishko” këtë vit shkoi për profesor Satki Ismailin. Këtë çmim Shoqata për “Traditë” dhe art e ndan çdo vit personalitete të njohura për vepër jetësore, për kontribut të shquar dhe për arritjet me rëndësi të veçantë në lëmin e historisë dhe të kulturës shqiptare.
“Kam pasur mundësinë që të fitoj shumë çmimi kombëtare e ndërkombëtare, jam mirënjohës i mirë i rrethanave arsimore, por edhe kurrë u shpalla si mësimdhënës më i mirë global mendova se kjo është e arritura më e madhe por jo. Kurrë mora lajmin se do më jepet ky çmim besoni se kënaqësia është me e madhe kurrë të beson dhe të vlerëson populli. Shqiptari kurrë e vlerëson shqiptarin është krenari.”,- u shpreh Satki Ismaili - fitues i çmimit “Ali Vishko”.
Manifestimi “Lidhja na Bashkon” vijoi me orën letrare, në kuadër të së cilës u lexuan poezi nga poetë dhe shkrimtarët të njohur. Edicioni i tetë me radhë u mbështet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
VISAR SADIKI
