Poroshenko: Ukrainasit dhanë jetën për të qenë evropianë
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, përsëriti dëshirën e vendit të tij për t'u anëtarësuar në NATO......

Edhe pse e pranoi se vendit i nevojiten reforma rrënjësore, Poroshenko kujtoi se si bashkëkombësit e tij dhanë jetën për të drejtën e të qenit evropian. Interesi për t'u bërë, në planin afatgjatë, pjesë e Aleancës Atlantiko-Veriore, mbetet i madh, shtoi ai.
"Lipsen reforma të gjera, është e vërtetë. Ne duhet të bëjmë gjithçka, në mënyrë që vendi, niveli i të ardhurave të qytetarëve, produkti i brendshëm bruto, investimet në mbrojtje dhe forcat e armatosura t'u përgjigjen kritereve, të cilat vlejnë sot për shtetet që synojnë anëtarësimin në NATO"- deklaroi presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.
Një vit pas fillimit të protestave në Maidan, në Sheshin e Pavarësisë, në zemër të Kievit, ata që u vranë që prej fillimit të protestave pro-perëndimore, një vit më parë, u nderuan në një ceremoni përkujtimore, ndërsa në mbrëmje qindra vetë ndezën qirinj për ta jo vetëm në kryeqytet, por edhe në pjesë të tjera të vendit. (Valbon Bexheti, TVM2)
