Kurti: Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid

12.06.2021 16:04

12 qershori shënon fundin e gjenocidit serb në Kosovë...

12 qershori shënon fundin e gjenocidit serb në Kosovë. Në manifestimin qendror për shënimin e Ditës së Paqes,  kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë dhe duhet të paditet  për gjenocidin e kryer ndaj popullit të Kosovës.

“Serbia ende qeveriset nga persona që kanë qenë ministra e zyrtarë të lartë në kohën kur këto masakra janë urdhëruar e zbatuar. Sigurisht, ata sot nuk mund të vijnë më të na pushtojnë e të na vrasin, por ëndrrat e tyre jo vetëm nuk i mohojnë por i proklamojnë vazhdimisht, me investimet e shfrenuara për armatim modern duke blerë armë prej Rusisë, Bjellorusisë e të tjera.Pse armatoset Serbia, ky vend që ende nuk ka kërkuar falje për krimet masive që ka bërë 22 vite më parë. Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid. Vrasjet e civilëve, grave shtatzëna, të miturve, foshnjave, pleqve, përdhunimi i përdorur si armë luftë janë dokumentuar e po dokumentohen” – tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 

Gjykimet në Hagë, OVL-UÇK: Pseudor-Drejtësi, po gjykohen vetëm shqiptarët

Në përvjetorin e Çlirimit, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, mbajti një protestë  në Prishtinë , për të kundështuar gjykimin në Hagë kundër  themeluesve  dhe udhëheqësve të  UÇK-së.

Akuzojnë  se drejtësia ndërkombëtare, ka gjykuar vazhdimisht vetëm luftën e UÇK-së por jo edhe krimet e kryera nga pushtuesi serb në Kosovë. Këmbëngulin që me krimet e luftës,  të merret një gjykatë vendore.

“UNMIK-u që kishte mandat që të gjykonte krimet e kryera në Kosovë por akuzoi e gjykoi vetëm shqiptarët. EULEX-i kishte mandat që të gjykonte krimet e kryer në Kosovë por gjykoi vetëm shqiptarët. Gjykata Speciale gjykon vetëm shqiptarët por jo krimet e kryera në Kosovë, jo krimet e masakrat që ka shkaktuar pushtuesi serb nga civilëve. Në këtë përvjetor, themeluesit dhe udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Sali Mustafa e Pjetër Shala gjenden në Hagë sepse siç u tha gjykohet lufta jonë e nuk gjykohen krimet e masakra e pushtuesit serb” – tha U.D Kryetari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

Nga SHVL-UÇK akuzuan edhe se luftën e UCK-së po e fyejnë edhe  njerëz që nuk ia dinë vlerën lirisë, ndër ta edhe ministra të Qeverisë. Në këtë u nderuan përvjetor edhe ushtarët e rënë të NATO-s. (Zekirja Mexhiti, TVM2)