A do të mblidhet nesër Komisioni i Mandateve?
Nesër përfundon afati 15 ditor që Komisioni për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit duhet të marrë qëndrim rreth mungesës së 31 deputetëve të opozitës.....

Komisioni duhet të vendos nëse mungesa e deputetëve opozitar është e arsyeshme, pasi në këtë formë opozita shpreh qëndrimin dhe vullnetin politik ose të konstatojë mungesë të paarsyeshme dhe t’i propozojë kuvendit uljen e pagave, ose konstatimin e ndërprerjes së mandateve të deputetëve.
Një ditë para skadimit të afatit, askush nga ky komision nuk deshi të sqarojë nëse do të mbahet seanca për të shqyrtuar mungesat e opozitës dhe kur, pasi vetë sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Zharko Denkovski, gjatë raportimit te kreu i Kuvendit, dy javë më parë, mungesën e deputetëve të opozitës e cilësoi si deputetë në dorëheqje.
Mirëpo ishte përzgjedhja e kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski, që për mungesën të kërkojë mendim edhe nga Komisioni për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit.
Nëse komisioni propozon marrjen e mandateve, atëherë shumica parlamentare duhet të sigurojë 82 vota “pro”.
Procedura parlamentare për mungesën e opozitës nuk ka shqetësuar deputetët opozitarë, ata madje kërkojnë nga kryeparlamentari që të vazhdojë seancën e pezulluar pa afat, ku duhet të konstatohen dorëheqjet e dorëzuara disa muaj më parë.
Kthimin në punën e kuvendit, opozita e ka kushtëzuar me hapjen e bisedimeve për pesë pikat e parashtruara, ndër të cilat edhe ajo për formimin e një qeverie teknike, e cila do të organizonte dhe realizonte zgjedhjet parlamentare të radhës.
Çështja nuk është diskutuar as sot në koordinimin që kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, mbajti me koordinatorët e grupeve parlamentare. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
