Mbahen sot zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë
Anëtarët e Partisë Demokratike....

Anëtarët e Partisë Demokratike u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur atë që do t’i udhëheqë në 4 viteve të ardhshme.
Procesi i votimit ka nisur në orën 8.00 dhe do të zgjasë deri në orën 19.00. Në garë për kryetarin e selisë blu janë kryetari aktual Lulzim Basha dhe 3 sfidantët Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.
Kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha ka votuar në selinë blu. Ai është shprehur se po zhvillohet një proces pozitiv, ku një anëtar ka të drejtën e një vote, duke theksuar se është vlerë e shprehjes së lirë. Basha nuk la pa përmendur edhe betejën e PD-së, në kundërshtim të qeverisë, ku sipas tyre do të bjerë poshtë regjimi Rama-Doshi.
“Dua ta falënderoj mediat, të gjithë demokratet e demokratët, të gjithë ata që janë kujdestarë të këtij procesi, këtij procesi unik të vlerave tona, ku një anëtar një votë, janë vlerat e shprehjes së lirë. E kemi nisur betejën për ndryshim për Shqipërinë për shqiptarët dhe do e çojmë deri në fund në përmbysje të regjimit Rama-Doshi” – tha kandidati për Kryetar të PD-së, Lulzim Basha.
Kundërkandidatët e tij ankohen për parregullsi në process.
“Vëzhguesit tanë nga terreni kanë evidentuar se janë mijëra anëtarë të Partisë Demokratike të cilët janë përjashtuar nga lista e përgatitur nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve i PD-së. Inkurajojmë të gjithë përfaqësuesit dhe mbështetësit tanë që pavarësisht parregullsive dhe presioneve, të japin maksimumin për të mbrojtur votën e demokratëve dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike.Ne jemi duke mbledhur fakte e të dhëna për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë. Iu bëj thirrje demokratëve të thjeshtë që të luftojnë për votën e tyre dhe të mos lejojnë askënd që t’u heqë të drejtën për të votuar” – u shpreh kandidati për Kryetar të PD-së, Agron Shehaj.
“Ka pasur probleme, procesi është me probleme të mëdha, anëtarësia është përgjysmuar. I bëj thirrje Bashës dhe kryesisë së PD dhe komisionit zgjedhor që ndjekin procesin, nëse demokratët nuk do të gjenin emrat në lista ky proces do të jetë fars për ne. Demokratët janë penguar të votojnë vetëm se u thuhet se nuk janë aktiv në PD, kjo nuk është normale, jam e sigurt që ata janë thirrur të votojnë më 25 prill për PD. Dita jonë fillon sot, unë filloj sot betejën time për të ringritur PD-në” – deklaroi kandidatja për Kryetare të PD-së, Edit Harxhi.
“Ringritja fillon sot kur çdo anëtar merr përsipër përgjegjësitë e veta. Është një garë që u mbyll siç u nis e pabarabartë por jam i lumtur që ndeza shkëndijën e parë të saj. Ndeza kurajon. Manifesti për ta bërë partinë të pastër të hapur të bashkuar do vazhdojë. PD-së iu rikthye kurajë dhe guximi, kjo parti do të jetë e pastër, e hapur, e bashkuar dhe fituese. Është hera e parë që një forcë politike shtrëngohet në pak kohë që të reflektojë shumë” – theksoi kandidati për Kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli.
Dy ditë më parë Komisioni Zgjedhor në Partinë Demokratike publikoi listat e anëtarëve të Partisë Demokratike, ku 75 067 anëtarë do të kenë të drejtën e votës për të vendosur kryetarin e ri të PD-së.
