“Covid 19”, asnjë viktimë, vetëm 8 raste të reja
Për herë të parë që nga 2 shtatori...

Për herë të parë që nga 2 shtatori i vitit të kaluar, në 24 orët e fundit nuk u regjistrua asnjë vdekje si rezultat i Covid 19.
Nga 3,068 teste të bëra në 24 orët e fundit , janë regjistruar 8 raste të reja: Shkup - 3, Tetovë - 2, Veles, Kërçovë dhe Ohër nga 1 secila.
Aktualisht në Shkup ka 189 raste aktive, në Kumanovë 52, Prilep 33, Tteovë 28, Kërcovë 26, Ohër 19, Manastir 18, Gostivar 14, qytetet e tjera nga 7 deri në 1 rast aktiv, ndërkohë që është rritur në 8 numri I qyteteve Covid free.
Ministria e Shëndetësisë thotë megjithatë se virusi është larg nga mposhtja, por kjo fitore e vogël na jep shpresë.
“Virusi është larg nga mposhtja, por kjo fitore e vogël na jep shpresë se jemi më afër përfundimit të agonisë. Sidoqoftë, ne duhet të vazhdojmë t’u përmbahemi masave dhe mënyra e vetme për të zvogëluar numrin e viktimave është të vaksinohemi në masë”, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Që nga fillimi i pandemisë në vend janë regjistruar 155.536 persona pozitivë, 5.471 kanë përfunduar me fatalitet. Janë shëruar 149.628 qytetarë, ndërsa ka 437 raste aktive.
Edhe procesi i vaksinimit po zhvillohet por me mungesë të sasisë së mjaftueshme. Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë së hënës presin të arrijnë 30 mijë vaksina “Sinovak”, donacion nga Turqia të cilat do të shpërndahen nëpër punktet e vaksinimit.
Si pasojë e mos pasjes hapsirë për përzgjedhje të vaksinës , shumë qytetarë të vendit janë vaksinuar në pika të vaksinimit në Vranje dhe Nish të Serbisë.
Sipas raporteve ditore që lëshon Ministria e Shëndetësisë, deri më tani mbi 256 mijë qytetarë kanë marrë vaksinën, ndërsa numri i të interesuarve për imunizim është rritur në 448,502. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
