Vazhdon rritja e çmimeve të produkteve, Pollozhani: Kalimtare, është pasojë e pandemisë
Në treg vazhdon të ketë rritje të çmimeve të produkteve të caktuara....

Në treg vazhdon të ketë rritje të çmimeve të produkteve të caktuara, e sidomos të atyre ushqimore. Kjo ndodh si rezultat i asaj që kërkesa është më e lartë se oferta, vlerson për TVM 2, profesori universitar, Petrit Pollozhani.
Në pandemi kapacitet prodhuese dhe ato bujqësore kanë punuar me një ritëm më të ngadaltë dhe kjo ka ndikuar që mos të përmbushen kërkesat e konsumatorit.
z“Në kohën e pandemisë kemi pasë luhatje të lira të ofertës dhe kërkesës që si shprehi në ekonomi nuk janë normale. E dyta ka ndikuar që pjesën më të madhe, popullata nuk punonte. Edhe pse kishim subvencione për bujqësinë përsëri pjesa më e madhe e sipërfaqeve bujqësore nuk punohet dhe është normale që nëse ka pak prodhime ushqimore, kërkesa është e madhe, rriten çmimet” – tha profesori universitar, Petrit Pollozhani.
Sidoqoftë kjo rritje e çmimeve pritet të jetë kalimtare. Profesori Pollozhani parashikon stabilizim të shpejtë të çmimeve të produkteve ushqimore. Ai nuk pret që të ketë rritje enorme të inflacionit në vend.
“Stabilitet relativisht do të ketë ndoshta tjetrin vit, por do të fillojnë të stabilizohen çmimet. Nuk do të ketë rritje, sepse do të fillon një luhatje e lirë dhe normale e ofertës dhe kërkesës.” – u shpreh, Pollozhani.
Edhe nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut thonë se rritja e çmimeve nuk pritet të ketë ndikim të zgjatur dhe të risin inflacionin në periudhën që do të vijë. Nga BP parashikojnë që gjatë vitit 2022 të ulen çmimet e të gjitha produkteve kryesore në tregjet globale.(Ersan Pajaziti, TVM2)
