Analistët: Sinjale pesimiste nga Brukseli

01.12.2014 18:11

Porositë e funksionarëve evropian se Maqedonia çdo ditë më shumë po shënon ngecje dhe aspak nuk bën përparim në rrugën drejt euro-integrimeve, sipas analistëve politik në vend, krijon pesimizëm tek qytetarët e vendit se shteti do të mund të mbajë rekomandimin për fillimin e negociatave me BE-në......

Analisti politik, Mersel Bilalli, duke u referuar në deklaratën e fundit të eurodeputetit gjerman, Josip Juratovic, gjatë një debati organizuar nga fondacioni “Friedrich Ebert” në Berlin, se Maqedonia jo vetëm që nuk shkon përpara, por është në situatë kur shënon edhe ngecje në eurointegrime, flet se vendi ynë, përveç emrit, ka edhe probleme të tjera të pazgjidhura.

“Në çdo strukturë relevante të Evropës kjo potencohet pa dorëza diplomatike, se Maqedonia nuk e ka problem tanimë emrin, por shumëçka më serioze, pra stagnimin, bile edhe kthyerjen shumë prapa në segmente kyçe, zhvillimin e demokracisë, informimin, lirinë e të drejtave njerëzore, gjykata sidomos është problem shumë i madh dhe nacionalizmit që qëndron tek ne”- deklaroi analisti politik, Mersel Bilalli.

Analisti, Petar Arsovski, nënvizon se Maqedonia është nën presion të krizës politike dhe nën presion të faktit që dy bashkësitë më të mëdha etnike kanë këndvështrim diametrik të ndryshëm lidhur me dinamikën me të cilën duhet të ecet drejt BE-së dhe NATO-s. Arsovski, shton se vendi ballafaqohet me një krizë me të cilën mospërparimi nënkupton kthimin prapa.

“Ai proces nuk mund të qëndrojë në vend në qoftë se nuk shkon përpara, i lënë vetvetiu, në mënyrë automatike ecë për mbrapa, si një automjet i lënë në ler në një përpjetëz, në qoftë se nuk e shtyni përpara, ai vetë do të ecë mbrapa. Kjo është ajo që po na ndodh për momentin. Këtë e thotë qartë edhe raporti i fundit i BE-së, ku potencon se duhen të bëhen tepër përpjekje që të mbahet rekomandimi, në vend se të përshpejtohet procesi i marrjes së datës për fillimin e negociatave”- tha analisti politik, Petar Arsovski.

Në fjalimin e tij, eurodeputeti gjerman, Josip Juratovic, ka thënë se nëse e pyesni një qytetar të thjeshtë nga Ballkanit Perëndimor, qoftë nga Beogradi, Shkupi ose Sarajeva se çfarë është me rëndësi për të, ai do t’u thotë: vendi i punës, i cili do të siguronte ekzistencë normale. (Mefail Ismaili, TVM2)