Samiti i NATO-s në Bruksel, RMV ka pjesëmarrjen e parë si anëtare e plotë
Sot në Bruksel po mbahet Samiti i NATO-s....

Sot në Bruksel mbahet SamitI i NATO-s, në të cilin Maqedonia e Veriut merr pjesë për herë të parë si anëtare e plotëfuqishme e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Vendi përfaqësohet nga delegacioni i kryesuar nga Kryeministri Zoran Zaev dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Në takimin në Bruksel, udhëheqësit e 30 vendeve anëtare, do të diskutojnë për të ardhmen e Aleancës dhe sfidat e saj.
Qëllimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg është që udhëheqësit të rreshtohen me një axhendë "ambicioze" të sigurisë dhe mbrojtjes 2030.
Ai do të paraqesë një sërë propozimesh për udhëheqësit, duke përfshirë forcimin e dimensionit politik të Aleancës, si dhe forcimin e mbrojtjes kolektive të vendeve anëtare dhe rezistencën e infrastrukturës.
Siguria kibernetike, ndryshimi i klimës dhe, natyrisht, rritja e buxheteve të mbrojtjes së vendeve anëtare do të jenë ndër temat më të rëndësishme të diskutimit.
Marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën do të jenë gjithashtu midis temave kryesore të diskutimit, veçanërisht se si NATO duhet të pozicionohet në lidhje me ngritjen e këtyre dy fuqive botërore.
Stoltenberg mirëpriti faktin se që nga viti 2014, vendet anëtare të Aleancës kanë rritur në mënyrë të vazhdueshme buxhetet e tyre të mbrojtjes dhe deri në vitin 2024 të 30 vendet janë zotuar të arrijnë 2% të prodhimit të brendshëm bruto për qëllime ushtarake.
