MPB mohon aferën e pasaportave
Publikimet në javoren “Fokus” për punimin e pasaportave nga një fabrikë private, kanë ngritur shqetësimin e opinionit.....

Por, krahas këtyre publikimeve, nga Ministria e Brendshme njoftojnë se nuk kanë dijeni se ndonjë dokument i falsifikuar është përdorur nga individë të caktuar, qoftë gjatë votimit apo kalimit të kufirit.
“Gjatë punimit të pasaportave të Maqedonisë, gjatë të gjitha procedurave dhe masave të sigurisë janë respektuar standardet më të larta ndërkombëtare. Bëhet fjalë për mjete bashkëkohore dhe është absurd që të paramendohet se një aparat i tillë do të mundej të vendoset në ndonjë banesë”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Nga ana tjetër ka reaguar LSDM-ja. Sipas tyre, qëndrimi i MPB-së lidhur me këtë informacion konfirmon partizimin e institucioneve të vendit.
“Sjellja e Jankullovskës dhe MPB-së në skandalin “fabrika e mundshme ilegale e pasaportave në banesë private” është konfirmim klasik se në Maqedoni nuk ka institucione. Së pari, materiali që ngre dyshime për krim, siç informonte media që e publikoi, tashmë është depozituar në Prokurori Publike, kompetente për ngritjen e hetimit. Kjo dëshmon ndikimin e drejtpërdrejt partiak mbi institucionet dhe procedurat”- tha nënkryetarja e LSDM-së, Frosina Remenski.
Se vendi po përballet me probleme ka deklaruar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai paralajmëroi dje zgjidhje të paparashikuara dhe jashtë programit të BDI-së.
“Unë nuk dua të flas tani se cilat do të jenë ato përballje, por mjafton që të gjithë ta dinë se vendi po përballet me një varg problemesh, që kërkojnë zgjidhje dhe guxim. Zgjidhje që mund të jenë të paparashikuara dhe jashtë programit tonë”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se të gjitha çështjeve, varësisht nga pesha e tyre, përgjigje do t’u japë kongresi tematik, i cili është në përgatitje e sipër dhe për to, sipas tij, do të merren vendime. (Naim Ramadani, TVM2)
