Maqedoni

ASH-AAA: Falja e borxheve të komunave, stimulim i paaftësisë dhe korrupsionit

15.06.2021 14:54

Koalicioni AlternAtivA - Aleanca për Shqiptarët është kundër vendimit të qeverisë për sigurimin e 50 milionë eurove....

Koalicioni AlternAtivA - Aleanca për Shqiptarët është kundër vendimit të qeverisë për sigurimin e 50 milionë eurove që të shlyhen borxhet e komunave. Sipas opozitës shqiptare, falja e borxheve të komunave është stimulim i paaftësisë dhe korrupsionit. Kur një gjë e tillë ndodh në vitin që pritet të ndodhin zgjedhjet lokale, bëhet evidente se kërkohet të mbulohet paaftësia e kryetarëve të komunave, të cilët, gjatë menaxhimit të tyre, të vetmen gjë që  kanë rritur, është sasia e borxheve. 

“I bëjmë thirrje qeverisë, që të mos abuzojë akoma me financat publike dhe të jetë e kujdesshme, sepse përmbytja financiare që e shkakton ajo nuk i fundos vetëm ata, madje më së paku ata, por është fundosje për gjithë shtetin dhe të gjithë qytetarët. Aq më shumë që kjo po ndodhë në kohë pandemie, që gjithsesi ka prodhuar edhe krizë financiare. Koalicioni AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët propozon që ato para t’u ndahen qytetarëve, të cilët, për shkak të kushteve të rënduara sociale, nuk mund t’i mbulojnë faturat mujore, por edhe kompanive, që janë në prag të falimentimit për shkak të kufizimeve që i ka shkaktuar pandemia.”, tha Orhan Murtezani nga AAA-ASH.