Maqedoni
Mosmarrëveshjet me Bullgarinë, Zaev pesimist se problemi mbyllet më 22 qershor
15.06.2021 16:03
Vetëm edhe një javë para mbajtjes së samitit të Këshillit të BE-së kryeminstri Zaev nuk është optimist se do të zgjidhet problemi me Bullgarinë...

Vetëm edhe një javë para mbajtjes së samitit të Këshillit të BE-së kryeminstri Zaev nuk është optimist se do të zgjidhet problemi me Bullgarinë që të mund të miratohet korniza negociuese nga vendet anëtare të BE-së. Me deklaratën e tij Zaev thotë se dëshiron që qytetarët t’i mbajnë pritshmëritë nën kontroll për epilogun e samiteve verore të Unionit. Por ai siguron se në bisedime me Sofjen janë shumë të kujdesshëm për çështjet e rëndësishme të vendit, që njëherit përfshihen në propozimin e presidencës portugeze.
“Kam ndjenjën se me 22 qershor nuk do të zgjidhet problemi sepse Bullgaria ka qeveri teknike dhe nuk ka parlament, por nuk është e pamundur të zgjidhet problemi. Pse e them këtë? Që të mos i ngrit pritshmëritë për shkak se është reale se në Bullgari me 11 korrik ka zgjedhje por në të njëtën kohë kam ndjenjën e përgjegjësisë që para popullit tonë të them se detyra jonë është ti bëjmë të gjitha. Me rëndësi është se edhe pala bullgare edhe pala jonë nuk kanë dilemë për autenticitetin e gjuhës dhe identitetit maqedonas.”, tha kryeministri Zoran Zaev.
Ky qëndrim i kryeministrit Zaev vjen pas takimeve bilaterale të tij me zyrtarët ndërkombëtar në suaza të samitin të NATO-s në Bruksel, përfshirë edhe takimin me presidentin e SHBA-ve, Xho Bajden.
NERMINE MULAKI FEJZULLAHU
