Maqedoni
Ligji për shtetësi ASH-AAA: VMRO-DPMNE të mos e bllokojë ligjin
15.06.2021 17:16
Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ftojnë opozitën maqedonase për konstruktivitet...

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ftojnë opozitën maqedonase për konstruktivitet e të mos e bllokojnë miratimin e ligjit të ri për shtetësi. Nga opozita shqiptare nuk përjashtojnë mundësinë që ligji të kthehet në kuvend me flamur evropian. ASH AAA këmbëngul që të tentojnë edhe një here që ta kalojnë ligjin në Komisionin për mbrojtje si propozim të tyre.
“Apelojmë deri tek kryetari që ta thirr komisionin, të vazhdojë debati. Njëherit, apelojmë që subjektet politike në Kuvend që të heqin dorë nga bllokada e ligjit. Të kenë qasje konstruktive, ta lexojnë ligjin drejtë e jo mbrapshtë dhe të japin kontribut konstruktiv që ky ligj të kalojë.”, Syrija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët.
Zaev: Kuvendi do gjejë zgjidhje, opsion “Flamuri i BE-së”
Edhe kryeministri Zaev konfirmon se po shqyrtohet mundësia që ligji të ridorëzohet në kuvend me yllin e BE-së.
“Për momentin po analizojmë nëse Ligjin për shtetësi mund ta tërheqim si propozim dhe ta dorëzojmë me yllin e BE-së, nëse ky veprim është në përputhje me rregullativat dhe direktivat e duhura të BE-së. Nëse ka një mundësi të tillë, ne nuk na pengon edhe pse propozimi është i opozitës shqiptare, por bëhet fjalë për tekst të harmonizuar bashkërisht.”, tha kryeministri Zoran Zaev.
Zaev beson se Kuvendi në njërën ose tjetrën mënyrë do të gjej zgjidhje për ta miratuar, pavarësisht bllokadave të opozitës, motivin e të cilave ende nuk e ka kuptuar.
