Opozita paralajmëron thyerjen e bojkotit kronik
Opozita shqiptare paralajmëron thyerjen e bojkotit në parlament. Në fakt, këtë iniciativë e ka ndërmarrë deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, e njohur për një qëndrim ndryshe në partinë më të madhe opozitare.....

Deputetja, Mesila Doda, thotë se ka qenë gjithnjë “pro” hyrjes në parlament, por se tani vendimin e ka marrë me qëllim që t’i shkojë deri në fund Ligjit për Hapjen e Dosjeve, projekt të cilin e dorëzoi sot në kuvend.
Por, Partia Socialiste nxjerr një tjetër motiv pse opozita do të marrë pjesë në parlament më 11 dhjetor.
Ja çfarë shkruan deputeti i PD-së, Taulant Balla, në një status në facebook:
“Tani, grupi parlamentar do të kthehet në kuvend më datën 11 dhjetor, duke përdorur si argument edhe Këshillin Evropian të datës 8 dhjetor, i cili në vlerësimin për vendet kandidate për në BE, në rastin e Shqipërisë do të rikujtojë rëndësinë e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës. Pas mbledhjes së këshillit, grupi i PD-së do vijë në kuvend më datën 11 dhe do të kërkojë mocione me debat dhe interpelanca. Por, arsyeja e vërtetë është skadimi i periudhës 6 mujore për mungesën e pajustifikuar të deputetit në punimet e kuvendit, që imponon, sipas rregullores dhe kushtetutës, humbjen e mandatit, sepse seanca e fundit kur mund ta shmangin këtë është seanca e datës 18 dhjetor”.
Opozita ka bojkotuar të gjitha veprimtaritë parlamentare prej muajit korrik, ku mori shkak nga sherri në ambientet e kuvendit mes deputetëve socialistë e demokratë, konkretisht Gent Strazimirit me Arben Ndokën dhe Pjerin Ndreu. (Luljeta Ndoka, TVM2)
