Maqedoni
Sondazh i ri nga IRI, shqetësim aderimi në BE, papunësia e vaksinimi
16.06.2021 13:36
Procesi i aderimit në Bashkimin Evropian gëzon përkrahjen e 79% të qytetarëve...

Procesi i aderimit në Bashkimin Evropian gëzon përkrahjen e 79% të qytetarëve, tregon rezultati i anketës së fundit t i Qendrës për Hulumtime të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI). Por vetëm 32 % e tyre mendojnë se vendi është më pranë hyrjes në BE sot, në krahasim me vitin 2005, kur mori statusin e shtetit kandidat, një zvogëlim i ndjeshëm krahasuar me 57% optimistët e tre viteve të fundit.
“Vonesat dhe pengesat në procesin e aderimit të Maqedonisë së Veriut në BE, kohën e fundit kryesisht për shkak të vetos së vendosur nga Bullgaria, mesa duket vështirësojnë besimin e qytetarëve për progres në procesin e aderimit. Fatmirësisht, kjo nuk ka zbehur entuziazmin e tyre për një qëllim potencial afatgjatë për aderim në BE”, theksoi Paul McCarthy, Drejtori i IRI-t për Europë.
Integrimi megjithatë nuk është preokupimi i vetëm i qytetarëve. Problematika të rëndësishme për 23% të të anketuarve, janë papunësia dhe për 22% të tjerë, pandemia Kovid dhe shqetësimi për qasjen deri te vaksinat. Edhe pas një viti, pandemia mbetet shqetësimi kryesor për qytetarët që u përballën me pasojat ekonomike nga kufizimi i lëvizjes dhe bizneset e mbyllura.
Sondazh i ri nga IRI, pakënaqësi për krerët aktualë të komunave
Një tjetër shqetësim serioz është besimi i ulët që qytetarët kanë tek përfaqësuesit e tyre lokalë në pritje të zgjedhjeve lokale të planifikuara për në tetor. Më shumë se gjysma e të anketuarve (53%) , do të donin një kandiat të ri në vend të atyre aktualë.
“Në nivel lokal, qytetarët mund të kërkojnë ndryshime në zgjedhjet e ardhshme, duke rritur mundësitë e kandidatëve të opozitës”, nënvizoi McCarthy.
Sondazhi për IRI-n, u zhvillua nga kompania për hulumtime të tregut Brima, prej 4 mars deri më 6 prill 2021, me intervista sy më sy të zhvilluara në vendbanimet e 1.222 të anketuarve të moshës 18 vjeç e lart, dhe u plotësua me 1.285 intervista shtesë në komunat e përzgjedhura. Të dhënat përshijnë kategoritë e moshës, gjinisë, rajonit dhe përkatësisë etnike. Margjina e gabimit për mostrën kombëtare është plus - minus 2.8 pikë në spektrin e mesëm të 95 për qind të nivelit të besueshmërisë. Norma e përgjigjeve ishte 66%. Sondazhi u zhvillua me ndihmën Fondacionit Kombëtar për Demokraci (NED).
REXHEP QAMILI
