SHBA dhe Rusia kthejnë diplomatët, Biden dhe Putin dakordohen, mes tyre s’ka besim
U përmbyll samiti historik i Gjenevës....

U përmbyll samiti historik i Gjenevës, pas bisedimeve që zgjatën rreth katër orë, e që ishin ishin të qeta dhe të drejtëpërdrejta. Megjithatë besimi ende nuk është fituar.
“Nuk ka lumturi, por ka copëza lumturie, të njëjtën gjë mund të them për besimin mes nesh; nuk ka besim por vetëm copëza besimi”, tha Putin.
“Nuk ka të bëjë me besimin, por me interesin vetjak. Verifiko para dhe më pas besim”, shtoi Biden.
Megjithatë shkrirja e marrëdhënieve të ngrira erdhi. Biden dhe Putin kthyen përfaqësitë diplomatike, ndërsa u dakordësuan edhe për adresimin e shqetësimeve në fushën e sigurisë kibernetike.
Biden dhe Putin pranuan se ka pasur përparim në marrëdhënien e trazuar SHBA-Rusi, por të ardhmen e kapitullit të ri ia lanë kohës.
“I thashë presidentit Putin se agjenda ime nuk është kundër Rusisë, por për popullin amerikan”, deklaroi Biden.
“Gjithçka që ka përkeqësuar marrëdhënien tonë është iniciuar jo nga ne, por nga SHBA”, tha Putin.
Respektimi i të drejtave të njeriut, ishte një ndër temat në tryezën e diskutimit. Biden e paralajmëroi Putin me pasoja të rënda nëse opozitari Navalni humb jetën në burg.
