“Covid-19”, mbi 4 milion vdekje në Botë
Numri i vdekjeve të shkaktuara nga covid 19...

Numri i vdekjeve të shkaktuara nga covid 19 në të gjithë botën kaloi shifrën e zymtë të 4 milionëve të premten. Shumë vende përpiqen ende të sigurojnë vaksina të mjaftueshme për të vaksinuar popullsinë e tyre, teksa varianti Delta po bëhet lloji dominues.
Sipas një analize të agjencisë Reuters, për mbi një vit numri i të vdekurve nga COVID-19 arriti në 2 milionë njerëz dhe 2 milionë vdekjet pasuese u regjistruan në vetëm 166 ditë.
Ndërkohë Britania shënon numrin më të lartë të të infektuarve pas 4 muajsh.
24 orët e fundit shënojnë 11.007 raste të reja dhe 19 viktima. Edhe pse shifrat e 24 orëve në Indi shënojnë ulje të infektuarve dhe viktimave sipas ekspertëve vendi ka gjasa të preket nga një valë e tretë e virusit dhe të cilën mund ta parandalojë vetëm rritja e vaksinimeve.
Shtetet e Bashkuara, Brazili, India, Rusia dhe Meksika – kanë rreth 50% të të gjitha vdekjeve në botë, Peruja, Hungaria, Bosnja, Republika Çeke dhe Gjibraltari kanë nivelin më të lartë të vdekjeve për nga numri i popullsisë.
Nëntë vendet që raportuan më shumë vdekje për frymë gjatë javës së fundit ishin të gjitha në Amerikën Latine, e cila po përballet me shpërthimin më të keq që nga marsi.
Teksa vendet e varfra kanë vështirësi të vaksinojnë popullsitë e tyre për shkak të mungesës së vaksinave, vendeve më të pasura u është kërkuar që të dhurojnë vaksina për të kontrolluar pandeminë.
G7 u zotua të sigurojë 1 miliard doza vaksinash për të ndihmuar vendet e varfra. Agjencia Evropiane e Barnave këshillon Shtetet e Bashkimit Evropian për përdorimin e të gjitha opsioneve të vaksinave për të luftuar pandeminë, që sipas tyre është shumë herët të thuhet nëse një lloj i veçantë i vaksinës është më i mirë.
