Mosrespektimi i Marrëveshjes së Prespës, DASH: Në listën e zezë, edhe individë nga Greqia

18.06.2021 14:23

Ata që punojnë kundër marrëveshjes së Prespës....

Ata që punojnë kundër marrëveshjes së Prespës edhe nga vende jashtë Ballkanit perëndimor, duke përfshirë dhe Greqinë, mund të gjenden në listën e zezë të SHBA-ve.Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Stejt Departmentit,për Zërin e Amerikës, duke u përgjigjur në pyetjen se nëse administrata e Biden planifikon të zgjerojë sanksionet dhe ndaj personave tjerë nga shtete tjera, konkretisht Greqisë.

“Urdhëri eksekutiv 14033 lejon sanksione kundër atyre që rrezikojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, kudo që ndodhen, nën kushtin që t’i përmbushin kriteret relevante për targetim”, tha zëdhënësi i Stejt Departmentit.

I pyetur nëse urdhri ekzekutiv i Biden përfshin edhe qytetarët që kundërshtojnë publikisht Marrëveshjen e Prespës në mediat sociale, zëdhënësi u përgjigj: "Synimi i Shteteve të Bashkuara nuk është të parandalojë individët nga shprehja e pikëpamjeve të tyre. Shtetet e Bashkuara inkurajojnë diskutime dhe debate të forta midis qytetarëve globalisht dhe në Ballkanin Perëndimor. ..Një urdhër ekzekutiv i referohet veprimeve që nënvlerësojnë proceset demokratike, përpjekjet për të shkelur, penguar ose kërcënuar zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të paqes, pjesëmarrjen në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, ose korrupsion, ndër aktivitetet e tjera", tha zëdhënësi.

Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të promovuar demokracinë, transparencën, llogaridhënien dhe qeverisjen demokratike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me standardet që shtetet duhet të përmbushin për të përparuar në rrugën Evropiane.

Në fillim të këtij muaji, Presidenti Joe Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv për ngrirjen e pronave dhe ndalimin e hyrjes në SHBA  të  individëve që kërcënojnë  sigurinë dhe paqen e çdo vendi në Ballkanin Perëndimor.

Sanksione edhe  për ata që janë përgjegjës ose të përfshirë në pengimin e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Urdhri ekzekutiv përfshin gjithashtu persona që janë të përfshirë direkt ose indirekt në korrupsion, keqpërdorim të fondeve publike, ryshfet dhe të ngjashme.