Mohoi gjenocidin në Srebrenicë, shkarkohet ministri malazez, miratohet rezoluta

18.06.2021 15:53

Parlamenti i Malit të Zi miratoi të enjten mbrëma....

Parlamenti i Malit të Zi miratoi të enjten mbrëma një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës si dhe shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinës. Pro shkarkimit të Leposaviqit votuan 43 deputetë ndërsa 27 ishin kundër.

Rezoluta që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës dënon deklaratat, veprimet dhe politikat që mohojnë ose vënë në dyshim gjenocidin në Srebrenicë si dhe shpall 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit për viktimat e Srebrenicës.Në bazë të kësaj rezolute, Mali i Zi konfirmon vendosmërinë për të parandaluar gjenocidin dhe krime të tjera të rënda në të ardhmen. Rezoluta u votua nga 55 deputetë, 19 ishin kundër dhe 7 abstenuan.

Më 26 mars, Leposaviq deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.Ky qëndrim nxiti kritika brenda Malit të Zi si dhe nga Bashkimit Evropian e Shtetet e Bashkuara.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se mascara e  Srebrenicës , ku në vitin  1995 forcat e serbëve të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra dhe djem myslimanë,  përbëjnë gjenocid, e ato janë vrasjet masive më të rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.