Vaksinimi, MSH: Mbi 7 mijë vaksinime vetëm të enjten
Nga Ministria e Shëndetësisë informojn se procesi i vaksinimit...

Nga Ministria e Shëndetësisë informojn se procesi i vaksinimit po zhvillohet pandërprerë në të gjitha pikat e vaksinimit dhe deri tani janë aplikuar gjithsej 473.853 doza të vaksinave, ndërsa 199.143 qytetarë janë rivaksinuar.
“Të enjten janë vaksinuar gjithsej 7.720 qytetarë, prej të cilëve 5.834 qytetarë kanë marre dozën e parë të vaksinës. Numri i personave që kanë shprehur interes për vaksinim përmes ueb-platformës vakcinacija.mk është 454.104. Sipas të dhënave të fundit, 50% e popullsisë mbi moshën 70 vjeç, 45% e popullsisë mbi moshën 65 vjeç dhe 38% e popullsisë mbi moshën 60 vjeç kanë marrë të paktën një dozë vaksine”, thonë nga MSH.
Kolonë e gjatë në “Tabanoc”, shtetasit e RMV-së shkojnë për vaksinim në Serbi
Megjithë shifrat prej mbi 7 mijë vaksinash të aplikuara të enjten, këtë të të premte në vendkalimin kufitar “Tabanoc”, u regjistrua kolonë kilometrike e qytetarëve që iu drejtuan pikave të vaksinimit në Vranje, Nish dhe Beograd, pasi nuk duan të presin se kur do jenë në radhë për vaksinim në vend.
Një fluks edhe më i madh pritet gjatë fundjavës.
Autoritetet serbe të shëndetësisë presin deri më 8.000 qytetarë nga rajoni dhe Evropa të shtunën dhe 5.000 të dielën. Jozyrtarisht, në Serbi janë vaksinuar mbi 10 mijë qytetarë nga RMV.
Personat e moshuar, u rivaksinuan në vend me dozën e dytë të Astra Zenekës, por mosha më e re, që dozën e parë të kësaj vaksine e ka marrë në Serbi, detyrohet të shkojë përsëri atje për rivaksinim, pasi vendi ynë e ndalon përdorimin e kësaj vaksine për qytetarët nën moshën 60 vjeçare. (Gyltene Sinani, TVM2)
